Një qasje pozitive e BE-së pa krijuar lidhje me çështjen e Qipros do t’i shërbejë interesit të përbashkët, tha sot ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.

“Ne besojmë se ringjallja e marrëdhënieve Türkiye-BE është në interesin e të gjithëve. Megjithatë, ne theksuam se vendosja e një lidhjeje midis çështjes së Qipros dhe marrëdhënieve Türkiye-BE nuk është metodë e shëndetshme dhe nuk do të japë asnjë rezultat”, tha Fidan për Anadolu pas pjesëmarrjes në takimin jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së.

Takimi, i cili u mbajt në selinë e Këshillit të BE-së në Bruksel, zgjati rreth dy orë.

Duke theksuar se anëtarësimi në BE është një objektiv strategjik për Türkiyen, ai tha se duan të bëjnë përparim në një agjendë pozitive.

“Nëse BE-ja miraton gjithashtu një qasje të ngjashme pozitive, kjo do të jetë në interesin e të gjithëve”, shtoi ai.

Negociatat e anëtarësimit të Ankarasë në BE filluan në vitin 2005, por hynë në një ngërç pas vitit 2007 për shkak të çështjes së Qipros dhe kundërshtimit politik ndaj anëtarësimit të Türkiyes nga disa vende anëtare.

Ishulli i Qipros ka qenë në një mosmarrëveshje prej dekadash midis grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, pavarësisht nga një sërë përpjekjesh diplomatike për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Sulmet etnike që filluan në fillim të viteve 1960 i detyruan turqit qipriotë të tërhiqen në enklava për sigurinë e tyre.

Në vitin 1974, një grusht shteti qipriot grek që synonte aneksimin e ishullit nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiyes si një fuqi garantuese për të mbrojtur turqit qipriotë nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, Republika Turke e Qipros Veriore u themelua në vitin 1983.

Administrata greke qipriote u pranua në Bashkimin Evropian në vitin 2004, në të njëjtin vit kur grekët qipriotë penguan një plan të OKB-së për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë.

Türkiye mbështet plotësisht një zgjidhje me dy shtete në ishullin e Qipros bazuar në barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar.

 

- Ftesa për Türkiyen, “zhvillim pozitiv”

Sa i përket ftesës për takim, Fidan tha se është një “zhvillim pozitiv” në drejtim të ringjalljes së lidhjeve me BE-në pasi Türkiye nuk është ftuar në këto takime për një kohë të gjatë.

“Sot, pothuajse të gjithë kolegët e mi të BE-së theksuan se dialogu dhe konsultimet strukturore dhe të rregullta duhet të vazhdojnë me Türkiyen në të gjitha fushat, veçanërisht në politikat e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes”, tha ai.

Të dërguarit e BE-së i thanë Fidanit se Türkiyes po luan një rol të rëndësishëm në konfliktin Rusi-Ukrainë, luftën në Gaza, Siri, Irak, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Kaukazin e Jugut.

Ata nënvizuan rëndësinë që Türkiye dhe BE-ja të zhvillojnë konsultime më të ngushta e më të thella dhe të formojnë politika të përbashkëta.

Fidan tha se duhet të ndërmerren hapa konkretë për çështjet teknike në mënyrë që marrëdhëniet të marrin vrull.

“Para së gjithash, duhet të riaktivizohen mekanizmat e vendosur të dialogut që u pezulluan në vitin 2019. Pritjet tona për përditësimin e Unionit Doganor vazhdojnë”, shtoi ai.

 

- Dialogu për Liberalizimin e Vizave

Fidani tha se një nga çështjet me prioritet ishte liberalizimi i vizave, duke shtuar se janë plotësuar 66 kriteret përkatëse dhe se po punohet me institucionet përkatëse për plotësimin e gjashtë kritereve të mbetura.

“Derisa të arrihet liberalizimi i vizave, ne vazhdojmë të punojmë për eliminimin e vështirësive dhe pengesave që hasin qytetarët tanë gjatë procesit të aplikimit për viza Shengen. Ne vazhdojmë kontaktet tona me BE-në dhe vendet anëtare për të zgjeruar vizat me shumë hyrje dhe afatgjata”, shtoi ai.

Dialogu për Liberalizimin e Vizave synon të heqë kërkesat për vizë Shengen për qytetarët turq gjatë qëndrimeve të tyre të shkurtra në zonën Shengen.

Pasi të jetë finalizuar, të gjithë shtetasit turq me pasaporta biometrike do të mund të udhëtojnë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen pa vizë për qëllime biznesi, familjare apo turistike.

Dialogu filloi më 16 dhjetor 2013, paralelisht me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ripranimit Türkiye-BE, bazuar në “Udhërrëfyesin drejt një regjimi pa viza me Türkiyen”, një dokument që përcakton kërkesat që duhen përmbushur.

Ankaraja ka përmbushur 66 nga 72 kërkesat e renditura në udhërrëfyesin e organizuar në pesë grupe tematike./aa