Të paktën tetë ushtarë janë plagosur pasi një avion luftarak izraelit ka shënjestruar një pozicion ushtarak pranë një aeroporti në kryeqytetin sirian Damask të enjten vonë.

"Tetë ushtarë u plagosën të enjten në mbrëmje si rezultat i një sulmi ajror izraelit në afërsi të kryeqytetit Damask", njoftoi agjencia e lajmeve e regjimit sirian SANA.

"Rreth orës 22:50 të enjten, armiku izraelit kreu një sulm ajror nga drejtimi i Golanit të okupuar sirian, duke synuar një lokacion në afërsi të Damaskut", citoi agjencia një burim ushtarak pa emër.

Llogari të mediave sociale të afërta me regjimin sirian raportuan se avioni luftarak goditi një pozicion pranë Aeroportit Ushtarak Al-Mezzeh në Damask rreth orës 22:50 me kohën lokale.

Asnjë deklaratë nuk është lëshuar nga Izraeli apo regjimi sirian në lidhje me sulmin ajror.

Izraeli ka kryer kohë pas kohe sulme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani dhe pozicioneve ushtarake të lidhura me ushtrinë e regjimit sirian që nga fillimi i luftës civile të vendit në vitin 2011./aa