Nis “Rincamp 2024”, një iniciativë e përvitshme e organizuar nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë. Ky kamp synon të aktivizojë dhe mbështesë të rinjtë në angazhimin e tyre në sferën rinore, duke u fokusuar në ngritjen e kapaciteteve personale dhe profesionale, si dhe fuqizimin e tyre përmes një sërë aktivitetesh dhe trajtimesh të temave në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.
Përgjatë katër ditëve të kampit, të rinjtë do të jenë pjesë e paneleve informuese që do të trajtojnë tematika të rëndësishme si inovacioni dhe tregu i punës, digjitalizimi në arsim, mundësitë dhe politikat rinore, paketa e aftësive të buta, si dhe edukimi financiar dhe përgjegjshmëria. Këto tema janë përzgjedhur jo vetëm në kuadër të strategjisë, por edhe si një pasqyrim i propozimeve dhe interesave të vetë të rinjve, të cilët, përmes aplikimit, kanë shprehur prioritetet dhe fushat ku ndiejnë nevojën për më shumë njohuri dhe aftësi.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndërtojnë dhe debatojnë idetë e tyre, të punojnë në grup, dhe të argëtohen në një mjedis të bukur dhe dinamik. Ky kamp synon të krijojë një platformë gjithëpërfshirëse ku të rinjtë mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.
Strategjia Kombëtare e Rinisë synon të përmirësojë situatën e të rinjve në Shqipëri duke u ofruar mundësi të barabarta me të rinjtë europianë, duke u krijuar mundësi për arsim cilësor dhe përfshirje në tregun e punës shqiptar dhe atë ndërkombëtar./ata