Rritja e numrit të aksidenteve rrugore gjatë këtij viti, ka shtuar edhe pagesën e dëmeve nga kompanitë e sigurimeve. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për 7-mujorin kompanitë e sigurimeve kanë paguar dëme në vlerën e 2.9 miliardë lekëve, nga 2.3 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, në rritje me rreth 23%.

Peshën kryesore e mban MTPL e brendshme, me 2.36 miliardë lekë dëme të paguara, ndërsa më pas vjen Kartoni Jeshil me 534 milionë lekë dhe Sigurimi Kufitar me 26 milionë lekë. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-korrik  arritën në rreth 8.2 miliardë lekë, ose 9.39% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të INSTAT, muaji korrik i këtij viti ka regjistruar sërish një numër të lartë aksidentesh, kjo edhe për shkak të fluksit të madh të turistëve në Shqipëri. Vetëm në korrik u regjistruan 146 aksidente rrugore, në rritje me 15.5% krahasuar me korrikun e vitit 2023, kur u regjistruan 125 aksidente.

Edhe nëse e llogarisim si 7-mujor, numri i aksidenteve është rritur ndjeshëm gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës janar-korrik 2024 janë regjistruar 913 aksidente, nga 653 aksidente në të njëjtën periudhë të një viti më parë, në rritje të konsiderueshme me 33.2%.

Gjatë këtij 7-mujori vdekshmëria në aksidente rrugore është 9.2 për 100 aksidente, nga 16.8 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aksidentet rrugore në 91% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, ndërsa numri më i lartë i aksidenteve, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 23.3% të numrit të aksidenteve gjithsej./Scan