Si rezultat i koordinimit të punës dhe bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe strukturave homologe në Turqi dhe në Itali, u finalizuan procedurat për ekstradimin e tre shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Konkretisht u ekstradua në Turqi, shtetasi turk Koray Anic, 36 vjeç, pasi Gjykata e Stambollit, në vitin 2024, e ka dënuar me 4 vjet, 6 muaj e 5 ditë burgim, për rrëmbim, posedim të armëve të zjarrit dhe armëve shpërthyese dhe për kanosje.

Po ashtu u ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar M. L., 27 vjeç, i lindur në Dibër, pasi Gjykata e Torinos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për grabitje me armë, me pasojë. Në vitin 2021, 27-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri pronarin e një banese në Itali, ku kishte hyrë për të vjedhur, së bashku me shtetas të tjerë.

Drejt Italisë u ekstradua edhe shtetasi shqiptar A. A., 49 vjeç, i lindur në Skrapar, pasi Gjykata e Komos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shfrytëzim për prostitucion dhe për kanosje./ata