Piramida e Djoserit, një nga ndërtesat më të vjetra prej guri të Egjiptit, dhe Stonehenge-i në Angli dallohen nga disa prej ndërtesave të lashtësisë. Por 1000 vjet përpara se të ndërtohej secila prej tyre, njerëzit e neolitit në Spanjën e sotme ndërtuan një dhomë guri kolosale që përfshinte një bllok guri 150 ton – afërsisht pesë herë më i madh se megaliti më i rëndë në Stonehenge.

Kjo strukturë e hershme, që daton midis viteve 3600 dhe 3800 p.e.s., njihet si Dolmen de Menga dhe ka qenë një nga monumentet më të mëdhenj megalitikë të Evropës antike. Një analizë e botuar në revistën “Science Advances” arrin në përfundimin se ajo u ndërtua mbi një njohje shkencore të jashtëzakonshme.

Dolmen de Menga është një dhomë afërsisht 82 metra e gjatë e mbuluar me një tumë dheu dhe çatia, muret dhe kolonat e tij janë të përbërë nga 32 pllaka të mëdha guri. Pesha totale e gurëve është afërsisht 1 140 tonë – më e rëndë se dy aeroplanë Boeing 747 të mbushur me pasagjerë. Ndërsa qëllimi pse është ndërtuar një dhomë e tillë është i panjohur, shkencëtarët sugjerojnë se ajo ka shërbyer për funerale.

Një ekip studiuesish kreu një analizë gjeoarkeologjike të vendit duke ekzaminuar skanimet me lazer dhe pamjet vizuale nga gërmimet e mëparshme, përshkrimet etnografike të teknikave të ndërtimit dhe topografinë e zonës. Mbi këto të dhëna, ata nxorën përfundimin e procesit të ndërtimit të inxhinierëve të neolitit.

Një studim i mëparshëm nga i njëjti ekip kishte vërtetuar tashmë se gurët ishin marrë nga 0,6 milje larg, në një gurore që ndodhet në një lartësi strategjikisht më të lartë se Dolmen de Menga. Gjasat janë që ndërtuesit t’i kenë transportuar gurët duke përdorur saje në një rrugë të posaçme të bërë me trarë druri, çka do të thotë se kanë pasur njohuri të mira për forcat e fërkimit, nxitimin dhe qendrën e masës.

Me të arritur në kantierin e kohës, gurët që përbëjnë muret dhe kolonat janë vendosur në zgavra të thella, në mënyrë që deri në një e treta e secilit gur të ishte nën tokë. Ndërtuesit mund ta kenë arritur këtë duke përdorur kundërpesha dhe rampa që duhej të merrnin parasysh natyrën relativisht të butë - dhe si pasojë lehtësisht të dëmtueshme - të shkëmbit ranor. Gurët e murit u gdhendën më pas për t'u lidhur me njëri-tjetrin dhe për të mbështetur njëri-tjetrin, duke i shtuar qëndrueshmërinë strukturës.

Muret anojnë pak nga brenda - duke qëndruar në kënde midis 84 dhe 85 gradë - në mënyrë që pjesa e sipërme e dhomës të jetë më e ngushtë se fundi në një formë trapezoidale. Më i madhi nga pesë gurët kryesorë u gdhend - në thelb duke krijuar një hark rudimentar - me qendrën më të lartë se anët.

Kjo mund të jetë hera e parë që parimi i harkut është dokumentuar në historinë njerëzore, thonë studiuesit.

Montimi i dhomës me muret e saj pjesërisht nën tokë nënkuptonte edhe se gurët e sipërm mund të vendoseshin në majë pa pasur nevojë të ngriheshin shumë lart. Ndërtuesit më pas gërmuan tokën brenda për të ulur nivelin e dyshemesë së dhomës, ndërsa pjesa e jashtme u mbulua me dhe për të izoluar dhe stabilizuar më tej ndërtimin.

Duhet ta quajmë shkencë”, thotë García Sanjuán për CNN. "Ne nuk kemi folur kurrë më parë për shkencën neolitike, vetëm sepse jemi shumë arrogantë për të menduar se këta njerëz mund të bënin  shkencë, ashtu siç bëjmë ne sot," shton ai. "Nëse ndonjë inxhinier sot do të përpiqej ta ndërtonte të njëjtën gjë me burimet që ekzistonin 6000 vjet më parë, nuk mendoj se mund ta bënte atë."/Tema