Forca e udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR) ka njoftuar se ushtarët italianë në kuadër të forcave rezervë kanë kompletuar dislokimin e tyre në vend, duke zëvendësuar trupat rezervë nga Greqia e Bullgaria, në sfondin e rrjedhës së tensionuar në marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Njësiti i dislokuar në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës përbëhet nga Regjimenti i 5-të i Këmbësorisë së Brigadës AOSTA dhe nga personeli shtesë i karabinierisë italiane. E batalioni do të vendoset në Kampin Villaggio Italia për disa muaj, në përgjigje ndaj sfidave potenciale të sigurisë.

“Batalioni do të vendoset në Camp Villaggio Italia për disa muaj. Ai do të kryejë një sërë aktivitetesh, duke përfshirë patrullimet, dhe do të përdoret në përgjigje të çdo zhvillimi përkatës të situatës së sigurisë”, thuhet në komunikatën për shtyp të KFOR-it rreth dislokimit të forcave italiane.

NATO ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe e aleancës në 10 vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës e Serbisë dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajon, përkatësisht pas sulmit të armatosur serb më 24 shtator 2023 në pjesën veriore të Kosovës.

Ndryshe, përkundër se situata në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Gjithashtu, misioni i KFOR-it ka trefishuar numrin e patrullave përgjatë kufirit./Tema