Tregu i fondeve të investimit ka vazhduar zgjerimin në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve arritën në 53.2 miliardë lekë (duke përfshirë edhe fondet e investimeve alternative), në rritje me 5.8% krahasuar me fundin e vitit të kaluar dhe me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një zhvillim i rëndësishëm është edhe rritja e vazhdueshme e numrit të anëtarëve në këto fonde. Numri i anëtarëve në mesin e këtij viti arriti në 34 411, në rritje me 6.9% që nga fillimi i vitit 2024 dhe me 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fondet e investimit në lekë i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare). Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare. Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët.
Në fund të tremujorit të dytë 2024, në treg ishin aktivë 16 fonde investimi, të administruara nga gjashtë shoqëri të ndryshme administruese./ata