Në Lin të Pogradecit u mblodh sot Komiteti Rajonal i Zhvillimit të Turizmit.
Gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, u bë një vlerësim për bashkëpunimin institucional, si dhe u diskutuan detyrat që dalin për këtë sezon turistik.
“Viti 2023, ka qenë qenë vit shumë i suksesshëm për sektorin e turizmit në të gjithë Shqipërinë, por edhe në qarkun e Korçës. Statistikat dhe numri i turistëve e tregojnë këtë fare qartë”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.
Prefekti Jole theksoi se “të dhënat për vitin 2023 dhe 2024 tregojnë se në 4 muajt e parë të vitit 2024, krahasuar me 4 muajt e parë të vitit 2023, nga të dhënat e pikave të kalimit kufitar ka mesatarisht 60% më shumë vizitorë vendas e të huaj”.
Në fjalën e tij Jole kërkoi nga përfaqësuesit institucionalë zbatimin e detyrave në Urdhërin e Kryeministrit për ngritjen e taskforcës ndërinstitucionale të sezonit turistik veror 2024, si dhe më shumë punë për promovimin e destinacioneve turistike, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike.
“Sezoni turistik sapo ka filluar dhe rajoni ynë duhet të jetë mikpritës për shumë vizitorë e turistë nga vendi dhe gjithë bota”, tha Jole.
Qarku i Korçës përbën një pjesë mjaft të rëndësishme të destinacioneve turistike në vend.
Korça është tashmë e vizituar në çdo stinë, Pogradeci është i lidhur më së shumti me turizmin veror, ndërkohë që interesi i vizitorëve po orientohet edhe drejt natyrës e klimës malore të Kolonjës, Maliqit, Pustecit, por edhe Devollit./ata