Një grevë mbarëkombëtare përfshiu Izraelin, duke intensifikuar presionin ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për të arritur marrëveshje të menjëhershme të armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve me grupin palestinez Hamas.
Organizata e Përgjithshme e Punëtorëve "Histadrut", nisi grevën në mbështetje të protestave dhe pakënaqësive publike për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza. Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, greva është përhapur me shpejtësi në të gjithë vendin pas protestave masive të mbrëmjes së kaluar. Rreth 770 mijë izraelitë dolën në rrugë duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga qeveria.
Kjo përfaqëson përshkallëzim të rëndësishëm nga organizata "Histadrut", duke reflektuar zhgënjimin e përhapur në opinionin izraelit me trajtimin e krizës së pengjeve nga qeveria. Si përgjigje, qeveria izraelite i ka kërkuar Gjykatës Supreme të anulojë grevën, sipas "Haaretz".
Greva preku qendrën kryesore të transportit të vendit, aeroportin ndërkombëtar "Ben-Gurion", ku fluturimet u pezulluan për dy orë këtë mëngjes. Mbyllja, nga ora 08:00 deri në 10:00, mund të ketë ndikime të rëndësishme në udhëtimet gjatë gjithë javës. Zyrtarët e aviacionit paralajmëruan se edhe një mbyllje e shkurtër mund të prishë oraret e fluturimeve deri në 72 orë.
Izraeli vlerëson se më shumë se 100 pengje mbahen ende nga Hamasi në Gaza, disa prej të cilëve besohet se tashmë janë vrarë. Ofensiva e vazhdueshme e Izraelit në Rripin e Gazës ka vrarë më shumë se 40.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa ka plagosur mbi 94.100 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Një bllokadë e vazhdueshme e enklavës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj./aa