Qëndresa Qytetare pak ditë më parë ngriti alarmin se drejtorët e shkollave 9- vjeçare në Tiranë, kryesisht në zonën e qendrës dhe ish bllokut, po marrin rryshfet nga prindërit për të regjistruar fëmijët në shkollë kur nuk plotësojnë kriterin e banimit në e-albania, ose kur duan të zgjedhin mësuesen kujdestare.

Kjo skemë korrupsioni ka marrë përmasa drastike teksa në shumë raste drejtues të shkollave 9-vjeçare duke përfituar nga emërimi për kontribute në fushatë zgjedhore gjobisin prindërit dhe arsimtarët në mënyrë arbitrare.

Pjesë e skemës janë edhe punonjës të qendrave administrative.

Qëndresa Qytetare i kërkon Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Ministrisë së Arsimit dhe Prokurorisë si dhe fton mediat investigative të hetojnë korrupsionin dhe gjobëvënien në institucionet arsimore, teksa nuk do jetë çudi që provat e korrupsionit ti gjeni në zyrë deri në datën 9 shtator.

Pasojat e këtij fenomeni janë rrënuese për mijëra familje që nga pamundësia për të pasur një shkollë në zonën e tyre si përshembull 80 mijë banorët e Astirit, ekspozohen përballë zhvatjes për regjistrimin e fëmijëve në shkolla.

Qëndresa Qytetare fton prindërit dhe arsimtarët të denoncojnë çdo akt mitmarrje./SyriNet