Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi  sot rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha institucioneve për të garantuar jo vetëm shkolla me infrastrukturë moderne, por mbi të gjitha shkolla të sigurta për nxënësit.

Në takimin e organizuar në shkollën “Kosova” në Tiranë” lidhur me sigurinë në shkolla ku janë angazhuar 240 oficerë sigurie në mbarë vendin, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, Manastriliu vuri në dukje rolin e rëndësishëm të oficerëve të sigurisë në shkolla, duke theksuar se ky pozicion është thelbësor në parandalimin e fenomeneve negative, si bullizmi, dhuna fizike dhe ajo kibernetike.

“Oficerët e sigurisë janë një shtyllë kyçe në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe në krijimin e një ambienti të paqtë dhe të sigurt. Sot jemi shumë të ndërgjegjshëm për rreziqet me të cilat përballen fëmijët tanë, ngacmimet, agresionin dhe dhunën në çdo formë, që nga ajo verbale, ndonjëherë edhe fizike, dhe sigurisht ajo online. Bullizmi dhe fenomenet negative për shkak të përdorimit të teknologjisë, internetit dhe rrjeteve sociale janë arsyeja për të cilën ne kemi ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndërtuar një rrjet të sigurisë kombëtare në shkolla, për parandalimin dhe sinjalizimin e hershëm të këtyre fenomeneve. Për këtë arsye, ne kemi shtuar numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla, duke e çuar atë në 240. Dhe shifrat tregojnë se gjatë vitit 2023-2024 rastet e incidenteve në shkolla janë ulur me 733, krahasuar me një vit më parë,” tha Manastirliu, duke vënë theksin edhe te fakti se, ashtu si paga e mësuesve, psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla, është rritur edhe paga e oficerëve të policisë me 20%, për të qenë më të përkushtuar në punën e tyre.

Ministrja Manastirliu theksoi gjithashtu rëndësinë e trajnimeve të vazhdueshme për oficerët e sigurisë, duke njoftuar se gjatë muajve shtator-tetor 2024, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike do të realizojë trajnime për “Sigurinë Kibernetike dhe mbrojtjen e fëmijëve nga bullizmi online”.

“Oficerët e sigurisë trajnohen dhe edukohen nga Akademia e Sigurisë për të përmbushur detyrën parësore që ata kanë në shkollë. Sigurisht që hapat që kemi ndërmarrë për trajnimin e tyre janë të vazhdueshëm dhe aktualisht jemi duke punuar për një trajnim të radhës për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e fëmijëve”, tha Manastirliu.

Ministrja u ndal edhe te programet e reja dhe ato jashtëkurrikulare për nxënësit, të cilat do të zgjerohen, si programi “Art, Zeje dhe Sport”, programi “Shkolla Qendër Komunitare” apo “Ekipet Sportive në shkolla”, për të krijuar një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt për nxënësit tanë.

“Jemi duke vlerësuar një program të ri për fëmijët që janë Shkollat Verore. Besoj që të gjithë ne kemi prioritet që fëmijët t’i mbajmë të lidhur me shkollën, me ambientet e dijes dhe me programe të tjera. Gjithashtu, duam që mësuesit, të cilët arrijnë moshën e pensionit, të mund të angazhohen në këto shkolla verore. Nuk ka gjë më të mirë se të hapen shkollat edhe gjatë verës. Do të nisemi me një program pilot në vitin 2025, dhe besojmë se kjo do të jetë një risi që shkollat të jenë të hapura edhe gjatë periudhës së verës,” tha Manastirliu.

Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Ministri Hoxha konfirmuan angazhimin e qeverisë për të vazhduar mbështetjen e kësaj nisme në të gjitha shkollat e Shqipërisë, duke i bërë ato jo vetëm vatra të edukimit, por edhe të sigurta për nxënësit dhe mësuesit./ata