Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha kërkoi sot përfshirjen pa vonesë për diskutim në komisionin e ligjeve të paketës së propozuar për SPAK që sipas tij, e ka depozituar prej një viti në Kuvend.

Në një konferencë me mediet, Basha u ndal së pari tek propozimet që kanë lidhje me shqetësimet e qytetarëve, me luftën kundër korrupsionit, me pastrimin e parlamentit dhe të qeverisë nga politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, me sigurinë kombëtare,

“Ne kërkojmë që të fusim pa vonesë për diskutim në komisionin e ligjeve paketën e propozuar për SPAK, e cila mundëson nga njëra anë burime financiare dhe njerëzore adekuate, në mënyrë që SPAK të mos mbetet peng i mungesave të burimeve njerëzore dhe financiare, për të avancuar me dosjet e nxehta të korrupsionit dhe me kallëzimet e shumta, duke përfshirë dhe ato nga ne drejt qeverisjes më të korruptuar që ka njohur Shqipëria në këto 34 vite që është qeveria e Edi Ramës”, deklaroi Basha.

Basha u ndal edhe tek dërgesat e mbetjeve toksike. Ai tha se juristët e këtij grupimi politik po shikojnë mundësinë e dërgimit të çështjes së KURUM nga Prokuroria aktuale që po e ndjek, tek SPAK.

“Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për atë që ka plasur që është maja e ajsbergut për qindra ton helme që janë kapur duke u transportuar. Bëhet fjalë për praninë e këtyre helmeve në mënyrë të përditshme në Elbasan dhe në të gjithë vendin dhe rrezikun e tmerrshëm për pasojat e shëndetësore që kjo ka për qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Basha.

Basha deklaroi se se kasta politike po punon kundër interesave të shqiptarëve për interesat e veta. Ai shtoi se qytetarët e kanë kuptuar pseudoopozitën.

“Kush voton për Edi Ramën vazhdon mban Sali Berishën në krye të opozitës dhe kush voton Sali Berishën, mban në pushtet Edi Ramën”, tha ai.

Basha foli edhe për bashkëpunimin mes opozitës, duke theksuar se të bëhesh fraksion i Sali Berishës, do të thotë të bëhesh fraksion i fraksionit të Edi Ramës. Sipas tij, kjo s’ka për të ndodhur kurrë.

“Qëndrimet tona janë qëndrime të pandryshuara sa i takon kauzës që kemi. Dhe sot nuk mund të hiqet asnjë paralele me një Parti Demokratike të marrë peng nga një i shpallur non grata dhe në arrest shtëpie për korrupsion rreth të cilit një grup njerëzish që e shajnë nga mëngjesi në darkë dhe pastaj para ekranit bëjnë servilin për të kapur një karrige. Ky është një ndryshim besoj si nata me ditën, bardhezi”, tha Basha./ata