Pagat minimale dhe maksimale për punonjësit e pushtetit vendor do të rriten nga 40% deri në 120%.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh sot se reforma e pagave është shumë e rëndësishme për pushtetin vendor.

“Reforma njëson klasifikimin e pozicionin e punës me administratën qendrore, duke i rritur pagat në mënyrë domethënëse”, tha Mazniku.

Për më tepër, ministri theksoi se profesionistët do të paguhen njësoj pavarësisht madhësisë së bashkisë ku punojnë.

Gjithashtu sipas tij, “do të riorganizohet struktura e bashkive duke sjellë më shumë cilësi shërbimesh për qytetarët”.

“Stafet e bashkive do të rikonstruktohen në mënyrë që të kenë shërbime më të mira dhe cilësore për qytetarët”, u shpreh Mazniku.

Bashkë me rritjen e pagave edhe vjetërsia e punës do të llogaritet njësoj si punonjësve të administratës qendrore.

Qeveria miratoi në 1 gusht rritjen e pagave për punonjësit në të gjitha bashkitë e vendit.

Vendimi parashikon që të gjitha pagat e pushtetit vendor do të unifikohen në të gjitha bashkitë.

Vendimi do t’i japë mundësi bashkive të tërheqin nga tregu profesionistë duke kontribuar në mënyrë efikase./ata