Të paktën 12 persona janë mbytur dhe disa janë lënduar, ndërkohë që dy të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me emigrantë të parregullt është përmbysur në Kanalin Anglez, tha sot ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin.

“Aksident i tmerrshëm ujor në Pas-de-Calais, pranë Wimereux. Numri i përkohshëm është 12 të vdekur, dy të zhdukur dhe disa të lënduar”, shkroi Darmanin në X.

Ai vuri në dukje se shërbimet e urgjencës po i përgjigjen incidentit dhe se të gjitha shërbimet qeveritare janë “mobilizuar për të gjetur të zhdukurit dhe për t’u kujdesur për viktimat”.

Të hënën herët, mediat franceze raportuan se një operacion masiv shpëtimi ishte duke u zhvilluar në Kanalin Anglez pas përmbysjes së varke me emigrantë./aa