Ish-ministrja e Arsimit dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke vlerësuar se për katër vite radhazi Qeveria ka dështuar në fushën e arsimit.

Sipas saj, mënyra se si po furnizohen nxënësit me libra është një tjetër shembull i këtyre dështimeve, të cilat, sipas Bajramit, do të kenë pasoja afatgjata.

Në një përgjigje për Albanian Post ajo ka përmendur mungesën e plotë të reformave në arsim, si dhe mungesën e investimeve në infrastrukturë, inventar, mjete konkretizuese dhe digjitalizim.

Megjithatë, ajo aktualisht është e shqetësuar për një çështje tjetër.

“Kjo domethënë milionë orë mësimi të humbura dhe për këtë qeveria duhet të marrë përgjegjësi. Unë shprehë shqetësimin tim lidhur me politikën e gabuar të qeverisë aktuale për subvencionimin e prindërve për blerjen e librave shkollorë, në vend që këto materiale esenciale të prokurohen dhe shpërndahen drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit siç është vepruar për më shumë se një dekadë”.

“Bartja e përgjegjësisë tek prindërit ka krijuar sfida të mëdha për shumë familje dhe në fakt është bërë një barrë e rëndë për ata”, thotë Bajrami për Albanian Post.

Ky vendim, nga këndvështrimi i Bajramit ka krijuar vetëm “konfuzion” dhe “stres të panevojshëm”.

Ajo përmend faktin se janë disa komuna në Kosovë që nuk kanë fare librari.

“Në këto zona, familjet detyrohen të udhëtojnë dhjetëra kilometra, shpesh disa herë, në komunat fqinje vetëm për të blerë librat shkollorë. Kjo jo vetëm që është e kushtueshme, por edhe kërkon kohë, në veçanti për familjet që jetojnë në fshatra të thella”.

“Një politikë e tillë është e kushtueshme sidomos për familjet që tashmë përballen me vështirësi ekonomike”, sqaron ajo.

Librat shkollor, foto nga arkivi

Sa i përket argumentimin të ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci se “blerja e librave nga prindërit, blerje kjo me pakicë është më e leverdishme sesa blerja me shumicë nga shteti”, është “e palogjikshme” dhe “e paqëndrueshme”.

“Në përgjithësi, çmimet e pakicës janë më të larta sesa ato të shumicës për shkak të kostove shtesë të lidhura me rrjetin e shpërndarjes. Shitësit me pakicë, natyrisht se koston e tyre logjistike si dhe shtojnë marzhën e tyre të fitimit, të cilin qeveria duket se i ka injoruar për të dytin vit me radhë”.

Ajo tregon se me këtë mënyrë prindërve vetëm u është rënduar barra financiare.

“Për më tepër, kostoja e transportit dhe koha e humbur për qindra-mijëra prindër, të cilët tani duhet të blejnë vetë librat shkollorë, shton një barrë financiare tjetër, pavarësisht se kjo bartet nga prindërit e jo drejtpërdrejte nga qeveria. Këto janë shpenzime që mund të ishin shmangur nëse qeveria do të kishte zgjedhur të shpërndante librat drejtpërdrejt në shkolla siç është vepruar gjithherë”.

Kjo për shkak të “mos efikasitetit dhe potencialit për humbje të burimeve që lidhet me procesin e rimbursimit”.

Për deputeten e LDK-së, kjo politikë është e gabuar në thelb kur merren parasysh të gjitha këto probleme përfshirë atë se Drejtoritë Komunale të Arsimit, do të vendosin me cilin libër të punojnë

“Kjo shkakton konfuzion edhe me tutje te prindërit ku shumica prej tyre ende nuk e dinë  se cilat libra do të përdoren në klasën e fëmijës së tyre. Ky konfuzion, së bashku me vonesat e pashmangshme në marrjen e librave të duhur, do të çojnë në ndërprerje të mëdha në klasë, duke humbur efektivisht shumë orë mësimore për fëmijët tanë”.

Kërkesa e Bajramit, ka qenë që Qeveria e ardhshme ta kthejë mënyrën e vjetër për t’u furnizuar me libra.

Edhe këtë vit procedurat e përzgjedhura nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për sigurimin e librave shkollore po krijojnë sfida të mëdha për nxënësit dhe prindërit, duke vështirësuar edhe nisjen e vitit të ri shkollor.

Për shkak të mungesës së librave në libraritë lokale, prindërit po detyrohen të lëvizin nga komuna në komunë për t’i siguruar ato.

Nga ankesat që janë bërë nga prindërit rezulton se fëmijët të cilët studiojnë në nivelin fillor përballen me mungesën e një planprogrami të unifikuar, pasi mësimdhënësit shpesh kërkojnë libra të ndryshëm për të njëjtën lëndë.

Deri në vitin shkollor 2023/24, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bënte as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

E njëjta Qeveri në vitin 2022 nuk kishte gjetur zgjidhje për fillimin e procesit mësimor, kjo pasi sindikatat kishin hyrë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.

Në vitin 2022, greva që nisi rezultoi të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë./Albanianpost