Të paktën 5 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur në sulmin me raketa të ushtrisë ruse në qytetin ukrainas Lviv.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në deklaratën në llogarinë e tij X tha se ushtria ruse kreu sulm me raketa në qytetin Lviv.
"Sulmi është kryer ndaj infrastrukturës civile. Sipas informacioneve, 5 persona, përfshirë një fëmijë humbën jetën dhe mbi 30 u plagosën si pasojë e sulmit. Në qytet janë dëmtuar ndërtesa banimi, shkolla dhe objekte shëndetësore", tha Zelenskyy.
Ai theksoi se ushtria ruse ka kryer sulm me raketa edhe në qytetin e Kriviy Rig dhe se në këtë sulm janë plagosur 5 persona. Duke i përshkruar sulmet ruse në qytetet e Ukrainës si "akte terroriste", Zelenskyy i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për të parandaluar këto sulme.
Shefi i Administratës Ushtarake të Rajonit të Lvivit, Maksim Kozitskiy tha se sipas informacioneve të fundit, 38 persona janë plagosur si pasojë e sulmit në Lviv. Në deklaratën e Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës thuhet se vazhdon rreziku i një sulmi me dronë në Kiev./aa