Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez njoftoi se para fundit të vitit do të mbajnë samitin e parë dypalësh me shtetin e Palestinës të cilin e njohën zyrtarisht në muajin maj.

Pas pushimit veror, Sanchez mbajti një fjalim në Institutin Cervantes në Madrid në lidhje me prioritetet e qeverisë së tij në periudhën e ardhshme politike.

"Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Gazës duke mbështetur Agjencinë e OKB-së për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), duke vazhduar ushtrimin e presionit ndaj kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe duke forcuar lidhjet tona me shtetin palestinez", tha Sanchez.

Duke kujtuar se Spanja e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës më 28 maj, Sanchez tha: "Do të doja të njoftoja nga këtu se samitin e parë dypalësh midis shteteve të Spanjës dhe Palestinës do ta mbajmë para fundit të vitit. Do të jetë një samit ku presim të nënshkruhen marrëveshje të ndryshme mes Spanjës dhe Palestinës".

Ministri i Jashtëm izraelit, Yisrael Katz në deklaratën në llogarinë e tij në mediat sociale më 2 shtator iu drejtua kryeministrit spanjoll Sanchez dhe i kërkoi atij të "hedhi hap prapa në njohjen e Palestinës".

Kryeministri spanjoll Sanchez, duke njoftuar se do të mbahet një samit dypalësh me shtetin e Palestinës i ka dhënë përgjigje edhe ministrit të Jashtëm izraelit./aa