Në Komunën e Prishtinës është hapur ekspozita e projekteve të përzgjedhura për sheshin “Adem Jashari”, i cili do të zë vend në kryeqytetin kosovar në Prishtinë.
Për këtë projekt ka pasur aplikime të shumta në një konkurs ndërkombëtar, por përmes një jurie profesionale janë zgjedhur pesë projekte më të mira ndër to.
Këto projekte që janë zbuluar në objektin e Komunës së Prishtinës do të qëndrojnë të hapura për një javë, ku qytetarët do të mund të votojnë për projektin më adekuat, pa e ditur se kush është autor i projektit që po e votojnë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se pjesë e jurisë që i kanë zgjedhur këto projekte kanë qenë edhe përfaqësues të familjes heroike Jashari.
“Ne kemi qenë si pjesë e procesit në komunikim edhe me familjen Jashari, ku edhe përfaqësues të familjes morën pjesë në juri, e cila vendosi që këto pesë projekte të jenë projektet kyçe”, tha Rama, duke shtuar se së shpejti heroi kombëtar Adem Jashari do ta ketë vendin edhe në kryeqytet.
Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafikë, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët.
Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.
Monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës kombëtare./TRT