Prej 5 vitesh Anna Konya ka lënë pas vendlindjen e saj Hungarinë për të jetuar në Shqipëri, që sipas saj e frymëzon dhe për artin e saj pikturën.

Artistja hungareze këtë vit ka sjellë për publikun shqiptar një tjetër ekspozitë, e cila vjen në kuadër të javës kulturore hungareze.

Ajo u shpreh se me anë të kësaj ekspozite synon të tregoj vendin ku gjen qetësi.

 “Faleminderit që jeni këtu. Është një nder për mua të hap sërish këtë ekspozitë dhe jam shumë e kënaqur. Është një ndjesi e mrekullueshme fakti që cdo vit shkoj me artin tim në këto aktivitete, duke e ekspozuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë. Aktualisht ndodhemi tek Piramida, një vend i mrekullueshëm dhe për të cilin mendoj se shqiptarët duhet të jenë krenarë”,-tha Konya.

Artistja mes tjerash theksoi se në Shqipëri ka gjetur vendin e të shprehurit dhe të krijuarit.

 “Për mua Shqipëria është një vend që më frymëzon. E di që shumë njerëz duan të emigrojnë, ndërsa unë them qëndroni, sepse ky vend është I mrekullueshëm, ka një lloj magjie”. 

Javët kulturore ndërkombëtare kanë rinisur me Hungarinë, aktivitetet e të cilës do të vazhdojnë deri më datën 6 shtator e më pas do të vijohet me shtetet e tjera./Tema