Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka vizituar Estoninë, në vijim të vizitave shtetërore në vendet baltike.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Begaj u prit me një ceremoni shtetërore në pallatin presidencial në Talin nga homologu estonez, Alar Karis me të cilin zhvilloi takimin kokë më kokë dhe më pas u zhvillua edhe takimi mes delegacioneve.

"Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, finalizimi i procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi për sigurinë kibernetike, Ukraina dhe reagimi kundër agresionit rus, ishin në fokus të bisedës në takimin kokë më kokë mes Presidentëve të dy shteteve", thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se Begaj shprehu besimin se kjo vizitë do të rrisë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si turizmi, energjetika, siguria kibernetike, shërbimet elektronike dhe në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

"Në takim u vlerësua ndihma estoneze ndaj Shqipërisë përballë pasojave nga sulmi kibernetik i vitit 2022 dhe, në këtë aspekt, presidenti Begaj theksoi se ky bashkëpunim mund të thellohet përmes akademisë estoneze për trajtimin dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë në fushën kibernetike. Si dy vende në NATO, Shqipëria dhe Estonia janë të përkushtuara të avancojnë agjendën e bashkëpunimit për mbrojtjen kombëtare dhe hapësirën e përbashkët kibernetike", thuhet ndër të tjera në njoftim.

Gjithashtu theksohet se presidenti i Shqipërisë i shprehu presidentit të Estonisë falënderim për mbështetjen ndaj Kosovës në përpjekjet e saj për t'u anëtarësuar në strukturat euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare.

Presidenti i Shqipërisë, ka filluar një turne vizitash zyrtare në vendet baltike. Në fokus të bisedimeve sipas Presidencës së Shqipërisë janë intensifikimi i marrëdhënieve me secilin nga këto shtete si aleatë në NATO, integrimi i Shqipërisë në BE, proceset integruese euroatlantike të Ballkanit Perëndimor dhe çështje të tjera./aa