Përfundon Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Vetë kryetari i PS-së, njëkohësisht kryeministri Edi Rama dhe drejtuesit e qarqeve ishin fizikisht në seli ndërsa anëtarët e saj indoqën punimet online.

Në pëfundim të saj kryeministri Edi Rama tha se në të gjitha qarqet do të ketë takime të veçanta ku ai vetë do të marrë pjesë.

“Skuadra e motivuar, Nuk kemi asnjë problem serioz’ tha Rama

Report Tv mëson se në fokus të mbledhjes me dyer të mbyllura ka qenë organizimi i partisë dhe zbardh porositë e kryeministrit.

Zoti Rama ka shprehur pakënaqësi dhe ka kërkuar një cens real të anëtarësisë së socialistëve për të ndarë pjesën aktive nga ajo joaktive.

“Kemi konstatuar që ka probleme organizative në përbërjen e strukturave por edhe në regjistrin e Partisë. Të bëhet cens i të gjithë anëtarëve të PS, të ndahet pjesa joaktive” mësohet të ketë kërkuar Rama.   

Ka qenë dhe konkret në porositë. Nga drejtuesit e qarqeve ka kërkuar të dokumentojnë punën që po bëhet nga çdo organizatë si dhe ripërtëritje të çdo qelize, ndërsa më 15 mars-15 prill do të mbahen dhe zgjedhjet për kryetarët e degëve

“Asambleja dhe drejtuesit e qarqeve të punojnë për të rritur me 4 anëtarë çdo organizatë. Punoni sikur në 15 mars të ishin zgjedhje të përgjithshme. Strukturat të jenë aty për njerëzit, inventar për çdo familje, problematikat që kanë" mësohet tu ketë thënë drejtuesve Rama, informon gazetarja e Report Tv dhe Shqiptarja.com Raziela Myslimaj.

Mbledhja e cila ka nisur në orën 17:30 pritet të zgjasë 2 orë dhe çdo drejtues qarku po raporton me detaje për numrin i anëtarëve ekzistues, lëvizjet, projeksionet për anëtarë të rinj.

Asambleja e PS do të mblidhet edhe më 16 mars në një takim në qytetin e Durrësit. Takimi i fundit i anëtarëve të Asamblesë ishte më 11 shkurt ku u bë një analize e strukturave socialiste në qarqe. Ndërsa në fokus ishin edhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare 2025.