Humanitare (OCHA), Edem Wosornu dënoi dhunën në rritje në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, duke thënë se "brutaliteti" në këtë krizë nuk po njeh kufij.
"Zhvillimet e fundit në Gaza dhe Bregun Perëndimor na detyrojnë të afirmojmë, përsëri, vlerën e barabartë të çdo jete njerëzore", tha Wosornu në një sesion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën mbi situatën në territoret palestineze.
Seanca urgjente e Këshillit u përcoll me kërkesë të Izraelit dhe u mbështet nga Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja për të diskutuar situatën e pengjeve izraelite. Seanca u kërkua veçmas edhe nga Algjeria për të diskutuar zhvillimet në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Wosornu theksoi nevojën urgjente për të mbështetur ligjin ndërkombëtar humanitar, i cili, tha ajo, synon të minimizojë vuajtjet e civilëve. Duke vënë në dukje se kriza e Gazës është "shënuar nga humbjet dhe agonia, me civilët që mbajnë barrën më të rëndë", ajo tha: "Brutaliteti i këtij konflikti duket se nuk njeh kufij".
Duke theksuar sulmet në rritje ndaj punëtorëve dhe aseteve të organizatave humanitare, Wosornu tha se të paktën 295 punëtorë janë vrarë që nga 7 tetori i vitit të kaluar dhe se automjetet e OKB-së janë goditur drejtpërdrejt nga ushtria izraelite në mbi dhjetë incidente pavarësisht njoftimeve paraprake.
"Më lejoni të përsëris shqetësimin tonë nga java e kaluar: ne mbetemi shumë të alarmuar nga shifra e viktimave njerëzore nga intensifikimi i operacioneve ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor", shtoi Wosornu.
Ajo tha se organizatat humanitare janë përballur me pengesa në vlerësimin e ndikimit të plotë për shkak të mohimit të hyrjes nga forcat izraelite. Wosornu theksoi se përdorimi i forcës në Bregun Perëndimor nga ushtria izraelite duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe standardet që rregullojnë zbatimin e ligjit.
"Taktikat e përdorura zakonisht gjatë armiqësive në konfliktin e armatosur nuk janë në përputhje me këto standarde dhe ngrenë shqetësime për përdorimin e tepruar të forcës", tha zyrtarja e OKB-së.
Duke thënë se pajtueshmëria me të drejtën ndërkombëtare humanitare "nuk është opsionale", Wosornu i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit dhe vendeve anëtare që të përdorin ndikimin e tyre për të zbatuar respektimin e këtyre ligjeve, duke kërkuar presion diplomatik dhe përgjegjësi për t'i dhënë fund vuajtjeve dhe për t'i bërë premtimet për mbrojtje realitet.
Shefja e çështjeve politike të OKB-së, Rosemary DiCarlo, i bëri jehonë shqetësimeve të Wosornus, duke theksuar situatën e rëndë në terren dhe numrin në rritje të viktimave për shkak të operacioneve të vazhdueshme ushtarake izraelite në Gaza. DiCarlo vuri në dukje nevojën urgjente për lirimin e të gjithë pengjeve, duke thënë se "të gjithë pengjet duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte".
Ajo shprehu shqetësim të madh për përshkallëzimin e dhunës në Gaza dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, duke theksuar se situata mbetet e rëndë me operacionet e vazhdueshme ushtarake izraelite dhe sulmet e kolonëve të paligjshëm. "I bëj thirrje Izraelit, si fuqi pushtuese, të mbrojë popullsinë palestineze nga të gjitha aktet apo kërcënimet e dhunës", tha ajo.
DiCarlo paralajmëroi më tej se "me çdo ditë që kalon, ne largohemi më shumë nga objektivi për t'i dhënë fund okupimit dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete".
Ajo ripohoi angazhimin e OKB-së për të mbështetur vendosjen e një rezolute paqësore ku Izraeli dhe një shtet sovran palestinez bashkëjetojnë në mënyrë paqësore brenda kufijve të sigurt dhe të njohur, me Kudsin si kryeqytetin e të dy shteteve./aa