Produkti i brendshëm bruto (PBB) në Türkiye duhet të rritet me 3,5 për qind vitin e ardhshëm, 4,5 për qind në vitin 2026 dhe pesë për qind në vitin 2027, njoftoi zëvendëspresidenti turk Cevdet Yilmaz.

Yilmaz njoftoi të enjten programin ekonomik afatmesëm të qeverisë, duke vënë në dukje se rritja e PBB-së pritet në vitet e ardhshme falë reformave ekonomike dhe rregullimeve strukturore.

Ai theksoi se këtë vit parashikohet rritje e PBB-së prej 3,5 për qind, e cila është më e dobët se sa pritej, më së shumti për shkak të rritjes së tensioneve gjeopolitike në rajon.

"Qëllimi është të sigurohemi që ekonomia të arrijë kapacitetin e saj të plotë të rritjes dhe të arrijmë një trend të qëndrueshëm rritjeje në terma afatgjatë”, tha Yilmaz, duke theksuar se rritja e parashikuar ekonomike është në përputhje me normën e dezinflacionit.

Sipas programit të ri ekonomik, norma e inflacionit duhet të ketë rënie njëshifrore, përkatësisht 9,7 për qind në vitin 2026 dhe shtatë për qind në vitin 2027.

Sipas të dhënave të fundit nga TurkStat, norma vjetore e inflacionit të konsumatorit në Türkiye u ul në 51,97 për qind në gusht, norma më e ulët që nga korriku 2023.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) është një tregues makroekonomik që tregon vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në vend gjatë vitit, e shprehur në njësi monetare./TRT