Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas raportimeve për një plan atentati ndaj tij, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë vizitës së tij dhe takimit me partitë simotra të socialistëve.
Radiotelevizioni publik i Kosovës raportoi nga burimet e sigurisë se ka pasur një tentativë atentati ndaj kryeministrit të Kosovës "nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe".
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar planin për atentat ndaj tij, ka thënë se "ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve në Shkup".
Kurti ka theksuar se ka mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar.
"Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, tha Kurti të shtunën, pas homazheve te ish-aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, që humbën jetën gjatë protestës së vitit 2007 në Prishtinë.
Burime të televizionit shtetëror kosovar nga institucione të sigurisë në Kosovë kanë thënë se "menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup ku ka qëndruar mbrëmë".
Për "regjim të posaçëm të komunikacionit" kishte njoftuar edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut për vizitën e Kurtit në Shkup më 9 dhe 10 shkurt.
"Ministria e Brendshme njofton opinionin se më (9 dhe 10 shkurt) për shkak të vizitës së paralajmëruar zyrtare të një delegacioni të kryesuar nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Siguria Rrugore Njësia e RSSH-së Shkup do të marrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit për përdoruesit e rrugës në zonën e gjerë qendrore të qytetit të Shkupit. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t'u binden urdhrave që do të jepen nga punonjësit e uniformuar të policisë", thuhet në njoftimin e këtij institucioni./aa