Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë raportet se një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i pengjeve është drejt përfundimit, duke i quajtur pretendimet “të pasakta” dhe duke kundërshtuar deklaratat e zyrtarëve amerikanë.
“Ka një histori, një narrativë se ka një marrëveshje atje. Kjo është thjesht një narrativë e rreme. Nuk ka një marrëveshje në përgatitje. Për fat të keq, nuk është afër”, tha Netanyahu në një intervistë për kanalin amerikan ‘Fox News’.
Komentet e kryeministrit izraelit ishin në përgjigje të raporteve që citonin një zyrtar të lartë të administratës amerikane, i cili pretendonte se 90 për qind e kushteve të një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh janë rënë dakord.
Dje, zyrtari amerikan duke i informuar gazetarët tha se marrëveshja, që ka qenë në negociata prej muajsh, përbëhet nga 18 paragrafë, 14 prej të cilëve janë “të përfunduara”, megjithëse çështjet kritike që lidhen me shkëmbimin e të burgosurve dhe Korridorin e Filadelfit mbeten të pazgjidhura.
Gjithashtu edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, këtë fundjavë tha se “jemi në prag të arritjes së një marrëveshjeje”.
Netanyahu gjithashtu pohoi se Izraeli ka pranuar disa propozime për armëpushim nga negociatorët e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit, derisa akuzoi grupin palestinez Hamas për mos bashkëpunim.
Ndërkohë, Hamasi akuzoi Netanyahun se po pengon përpjekjet për të siguruar një armëpushim duke këmbëngulur në mbajtjen e kontrollit mbi Korridorin e Filadelfit, një zonë që shtrihet përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin.
Në fillim të javës, Netanyahu ripohoi qëndrimin e tij se forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga korridori, duke përmendur incidentet e mëparshme ku pretendohet se armët i ishin kontrabanduar Hamasit përmes rrugës.
Prania e vazhdueshme e Izraelit në këtë korridor mbetet një pengesë e madhe në finalizimin e një marrëveshjeje me Hamasin, pasi grupi palestinez dhe Egjipti e kundërshtojnë fuqishëm atë.
Kjo ka bllokuar përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi pengjesh, e cila është negociuar përmes ndërmjetësve të Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së për muaj të tërë.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor. Që atëherë, të paktën 40.800 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 94.400 të tjerë janë plagosur./aa