Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka riafirmuar se 90 për qind e kushteve për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për marrëveshjen e pengjeve janë zgjidhur, duke kërkuar nga Izraeli dhe Hamasi të bien dakord për "çështjet kritike" të mbetura.
"Mendoj se bazuar në atë që kam parë, 90 për qind është rënë dakord, por ka disa çështje kritike që mbeten ku ne duhet të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje dhe ato me të vërtetë shkojnë në atë se si do të zbatohen disa aspekte të marrëveshjes", tha Blinken gjatë një konference për media në Haiti.
Blinken tha se çështjet e mbetura të diskutueshme, përfshirë 'Korridorin e Filadelfit' dhe specifikat se si shkëmbehen pengjet dhe të burgosurit, janë diskutuar ditët e fundit. "Në këtë pikë, më duket se është me të vërtetë detyrë e të dyja palëve të arrijnë marrëveshje për këto çështje të mbetura", tha ai, duke theksuar "diskutimet aktive" me partnerët e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit.
"Pres që në ditët në vijim t'i ndajmë me Izraelin dhe ata do t'i ndajnë me Hamasin, mendimet tona, ne të tre, se si të zgjidhim saktësisht çështjet e mbetura. Dhe atëherë do të jetë vërtet koha që palët të vendosin po ose jo dhe pastaj do të shohim", shtoi ai.
Komentet e sekretarit amerikan pasuan mohimin e raporteve nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që citonin një zyrtar të lartë të administratës amerikane, i cili tha se 90 për qind e kushteve për armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve ishin rënë dakord, me Netanyahun që i quajti pretendimet "të pasakta".
"Ka një histori, një narrativë se ka një marrëveshje atje. Kjo është thjesht një narrativë e rreme. Nuk ka marrëveshje në përgatitje. Fatkeqësisht, nuk është afër", tha Netanyahu në një intervistë për "Fox News". Të mërkurën në një konferencë për media në Kuds, Netanyahu përsëriti kundërshtimin e tij ndaj tërheqjes nga 'Korridori i Filadelfit', një zonë e ngushtë por strategjike që kalon përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin.
Ai përmendi shqetësimet se Hamasi mund të përdorë zonën për të lehtësuar kontrabandën nga Egjipti nëse forcat izraelite tërhiqen. Kritikët argumentojnë se qëndrimi i Netanyahut mbi korridorin e ka komplikuar marrëveshjen më të gjerë të armëpushimit.
Hamasi vazhdon të kërkojë tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza, përfshirë 'Korridorin e Filadelfit' si dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur. Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi palestinez Hamas.
Që atëherë, të paktën 40.800 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe rreth 94.400 të tjerë janë plagosur. Izraeli aktualisht mban të paktën 9.500 të burgosur palestinezë ndërsa vlerëson se 101 pengje izraelite mbahen në Gaza, një numër i panjohur prej të cilëve besohet se janë vrarë gjatë kohës që ishin në robëri./aa