Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës" dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Protesta e 24-t është organizuar nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve, si dhe aktivistëve.
Zëvendëskryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij në protestë u shpreh se janë më të drejtën.
"Do të rezistojmë sepse ne jemi më të drejtën, jemi me qytetarët, me sipërmarrjen, më fëmijët, me të rinjtë, me studentët, me njerëzit e nëpërkëmbur dhe njerëzit e varfër, me pensionistët dhe me të sëmurët", tha Teliti.
Koordinatori rajonal i PD-së për Tiranën dhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, theksoi se misioni i tyre është i qartë. "Ne kemi vetëm një rrugë, që të mbrojmë fëmijët tanë dhe familjen tonë, të mbrojmë qytetin dhe shtetin tonë. Është koha të gjithë të reagojmë", tha Balliu.
Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, tha se protesta ka treguar vendosmërinë e qytetarëve të Tiranës, ndërkohë ai ka bërë thirrje për vazhdimin e protestave.
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore dhe u bllokuan disa akse rrugore, ndërkohë protestuesit kishin vendosur para selisë së bashkisë thasë me plehra.
Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive"./aa