Eksperienca me pilotimin e votimit elektronik në Shqipëri u prezantua së fundi nga Komisoni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë edicionit të nëntë të konferencës kryesore ndërkombëtare për ekspertët e votimit elektronik nga e gjithë bota (E-Vote-lD), që u zhvillua në Tarragona, Spanjë, në datat 2-4 tetor.
Në këtë forum ndërdisiplinor dhe të hapur të të gjitha çështjeve që lidhen me votimin elektronik duke përfshirë, por pa u kufizuar në teknologjinë e aplikuar në qendrat e votimit, kioskat, skanerët e fletëvotimeve dhe votimin në internet, KQZ prezantoi eksperiencën e pilotimit të votimit elektronik në Shqipëri në proceset zgjedhore të vitit 2021, 2022 dhe 2023.
“Ndër të tjera, pilotimi për zgjedhjet e organeve të qeverisjes të datës 14 maj 2023 tregoi se aplikimi i votimit elektronik duhet shoqëruar me fushata edukimi dhe familjarizimi të zgjedhësve me teknologjinë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Po ashtu, KQZ vëren se koha e daljes së rezultatit në rastin e numërimit elektronik është shkurtuar shumë, ndërsa trajnimi i thelluar i stafit të qendrave të votimit të përfshirë në proces është i një rëndësie themelore./ata