Selena Gomez është miliardere, sipas llogaritjeve të Bloomberg. Aktorja, këngëtarja dhe sipërmarrësja 32-vjeçare ka një pasuri prej 1.3 miliardë dollarësh dhe konsiderohet si një nga miliarderët më të rinj të Amerikës.
Ndryshe nga shoqja e saj e ngushtë, Taylor Swift, e cila u bë miliardere kryesisht përmes muzikës dhe koncerteve, Gomez ia detyron pasurinë bizneseve të saj, si dhe qindra milionë ndjekësve në rrjetet sociale.
Selena nuk është thjesht një yll i popit. Ajo është një biznesmene me shumë fytyra dhe burime të larmishme të ardhurash që kontribuojnë në pasurinë mbresëlënëse, thotë për Bloomberg, Stacy Jones, themeluese dhe drejtoreshë e Hollywood Branded, një kompani veshjesh në Los Anxhelos.
Në fakt, pjesa më e madhe e pasurisë së Gomez vjen nga Rare Beauty Brands Inc., kompania e kozmetikës që ajo themeloi pesë vjet më parë.
Këngëtarja ka gjithashtu bashkëpunime me marka, kontrata aktrimi dhe një startup për shëndetin mendor, Wondermind. Sipas Brent Saunders, CEO i Bausch + Lomb dhe një investitor në Wondermind, sekreti i suksesit të Gomez është autenticiteti. Gomez e filloi karrierën kur ishte fëmijë kur luajti në Barney & Friends. Më pas ajo fitoi një rol në Wizards of Waverly Place të Disney Channel, me serialin që u bë një hit i madh dhe aktorja adoleshente asokohe fitoi rreth 3 milionë dollarë prej tij.
Por ajo u bë e njohur gjerësisht kur filloi karrierën si këngëtare, fillimisht me grupin Selena Gomez & the Scene dhe më pas si këngëtare solo. Me tri albume dhe 44 këngë, Gomez fitoi Çmimin Amerikan të Muzikës 2016 si artistja e preferuar Pop/Rock, si dhe dy nominime Grammy.
Ajo ka 424 milionë ndjekës në llogarinë e tretë më të njohur në Instagram pas Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, që do të thotë se ajo ka një audiencë të madhe për të promovuar markën e saj. Në vitin 2017, për shembull, ajo nënshkroi një kontratë dyvjeçare, 30 milionë dollarë me Pumën. Në vitin 2016, ajo nënshkroi një marrëveshje prej 10 milionë dollarësh me Coach dhe kontrata e saj me Louis Vuitton vlen gjithashtu 10 milionë dollarë.
Edhe pse muzika është ajo që e ka bërë të famshme, është një burim relativisht i vogël pasurie për të. Ndryshe nga Taylor Swift, Gomez nuk i shkruan këngët e saj, kështu që ajo fiton para kryesisht nga performancat e saj. Turnetë përbëjnë më pak se 5% të pasurisë së saj dhe shitjet e albumeve më pak se 2%./Tema