Artistja e madhe shqiptare, Vaçe Zela, është portretizuar në Tiranë nga piktori me famë ndërkombëtare Maximiliano Bagnasco.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, e bija artistes Irma Rodiqi, ka shprehur mirënjohje të thellë për dashurinë që populli shqiptar i dhuroi në të gjallë e në të vdekur nënës së saj.

Ndërsa, për muralin me portretin e Vaçe Zelës ajo është shprehur të jetë e bindur se nëna e saj po vëzhgon e lumtur nga qielli, për përjetësimin e saj si yll me dashuri dhe art edhe në muret e Tiranës.

“Nuk ka pasuri në botë që do të mund të zëvendësonte sado pak dashurinë tuaj të pakufishme! Atë që i falët sa ish gjallë dhe i falni edhe sot. Jam e bindur që ajo na vëzhgon e lumtur nga qielli, të cilit ju me adhurim i shtuat një yll në ditën e largimit të saj nga kjo jetë, dhe prej sot edhe nga muri në të cilin e përjetësuat me aq shumë dashuri e art. Ju jeni Shqipëria e saj e shenjtë, Shqipëria ime e dashur – Ajo që nuk vdes kurrë!”, ka shkrur Rodiqi në facebook.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë në “Facebook”:

Po ku ka si ti o Shqipëria ime!» – Nuk ka varg që mund të shprehë më fuqishëm mirënjohjen time të thellë. Jo rrallë dëgjoj, «Sikur të kish lindur në një vend tjetër…» E kam thënë për herë të parë atë ditë, kur me dashurinë tuaj të pafund, ma bëtë më të lehtë përcjelljen në amshim të nënës sime të shtrenjtë, dritës së jetës time. E kam rithënë kur në stadium kumbonte zëri i saj mes brohorimave dhe lotëve tuaj dhe nuk do të rresht së përsërituri sa të kem frymë: Nuk ka pasuri në botë që do të mund të zëvendësonte sado pak dashurinë tuaj të pakufishme! Atë që i falët sa ish gjallë dhe i falni edhe sot. Jam e bindur që ajo na vëzhgon e lumtur nga qielli, të cilit ju me adhurim i shtuat një yll në ditën e largimit të saj nga kjo jetë, dhe prej sot edhe nga muri në të cilin e përjetësuat me aq shumë dashuri e art. Ju jeni Shqipëria e saj e shenjtë, Shqipëria ime e dashur – Ajo që nuk vdes kurrë!/Tema