Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, dënoi “ndërhyrjen barbare të Izraelit ndaj protestës paqësore kundër pushtimit në Bregun Perëndimor”.
Deklaratat e presidentit Erdogan erdhën pasi aktivistja turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi u qëllua për vdekje nga forcat izraelite sot gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në qytetin Beita të qarkut Nablus të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Duke u lutur që Allahu të mëshirojë Ayşenurin, presidenti Erdoğan deklaroi në X: "Si Türkiye, ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje në çdo platformë për t'i dhënë fund kësaj politike okupuese dhe gjenocidale të Izraelit, e cila po vazhdon për gati një vit, në të cilën 41 mijë njerëz u masakruan, duke përfshirë fëmijë, të rinj dhe të moshuar, si dhe për të mbajtur përgjegjës Izraelin para ligjit për krimet e tij kundër njerëzimit".
Tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar teksa Izraeli vazhdon sulmin e tij në Rripin e Gazës, ku ka vrarë rreth 40.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, ku u vranë rreth 1.200 izraelitë.
Përpos kësaj, sipas autoriteteve palestineze, të paktën 691 njerëz janë vrarë dhe mbi 5.700 janë plagosur nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që atëherë./aa