Palestina dënoi ashpër vrasjen e aktivistes turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi nga ushtria izraelite teksa ajo ishte pjesë e një proteste paqësore kundër vendbanimeve ilegale në pjesën veriore të Bregun Perëndimor të pushtuar.

Aktivistja turko-amerikane u qëllua për vdekje nga ushtria izraelite gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në qytetin Beita të qarkut Nablus.

"Një tjetër krim i shtohet serisë së krimeve të kryera çdo ditë nga forcat pushtuese, autorët e të cilit duhet të mbajnë përgjegjësi në gjykatat ndërkombëtare", tha në një deklaratë në X Hussein al-Sheikh, sekretari i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Grupi Hamas, nga ana e tij, e përshkroi vrasjen e saj si "një krim të urryer" dhe e quajti atë "një zgjerim të krimeve të qëllimshme të okupimit kundër aktivistëve të huaj të solidaritetit".

“Ne i bëjmë thirrje administratës amerikane të rishikojë politikat e saj që janë të njëanshme dhe mbështetëse ndaj krimeve dhe masakrave të okupimit (izraelit) kundër popullit tonë palestinez”, tha Hamasi.

Fronti Popullor Palestinez për Çlirimin e Palestinës (PFLP) në një deklaratë dënoi gjithashtu vrasjen e Aysenur nga forcat izraelite, duke shtuar se vrasja e saj "sjell në mendje serinë e gjatë të krimeve të kryera nga ushtria izraelite kundër aktivistëve të solidaritetit ndërkombëtar".

Grupi Hamas, nga ana e tij, e përshkroi vrasjen si "një krim të urryer" dhe e quajti atë "një zgjerim të krimeve të qëllimshme të okupuesit kundër aktivistëve të huaj të solidaritetit".

“Ne i bëjmë thirrje administratës amerikane të rishikojë politikat e saj që janë të njëanshme dhe mbështetëse ndaj krimeve dhe masakrave të okupuesit (izraelit) kundër popullit tonë palestinez”, tha Hamasi.

Gjithashtu, Fronti Popullor Palestinez për Çlirimin e Palestinës (PFLP) në një deklaratë dënoi vrasjen nga forcat izraelite, duke shtuar se kjo "sjell në mendje serinë e gjatë të krimeve të kryera nga ushtria izraelite kundër aktivistëve të solidaritetit ndërkombëtar".

Ndërkohë Mouayed Shaban, kreu i Komisionit të Rezistencës kundër Kolonizimit dhe Murit, tha në një deklaratë se shënjestrimi i aktivistes amerikane është një mesazh izraelit për vdekje për këdo që është i përfshirë në mbrojtjen e tokës palestineze dhe rezistencën ndaj kolonëve të armatosur të paligjshëm.

“Incidenti i sotëm padyshim konfirmon qëllimin e paramenduar të shtetit okupues për të vënë në shënjestër të gjitha format e aktiviteteve dhe ngjarjeve popullore”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, Fouad Nafaa, drejtor i Spitalit Rafidia, tha për Anadolu se Ayşenur Ezgi Eygi, që kishte një shtetësi të dyfishtë të Türkiyes dhe SHBA-së, mbërriti në spital me një plagë me armë zjarri në kokë.

Sipas drejtorit Nafaa, Eygi, e cila lindi në qytetin turk të Antalya në vitin 1998, iu nënshtrua plagëve të marra pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore.

Dëshmitarët okularë raportuan se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një grupi palestinezësh që merrnin pjesë në një demonstratë që dënonte vendbanimet ilegale në malin Sbeih në Beita, në jug të Nablusit.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa konfirmoi se viktima ishte një shtetase amerikane dhe një vullnetare e fushatës “Fazaa”, një iniciativë që synon mbështetjen dhe mbrojtjen e fermerëve palestinezë nga shkeljet e vazhdueshme nga kolonët dhe ushtria ilegale izraelite.

Banorët në Beita mbajnë protesta javore pas namazit të xhumasë për të kundërshtuar vendbanimin ilegal izraelit Avitar, i cili është krijuar në majën e malit Sbeih. Komuniteti kërkon heqjen e vendbanimit të paligjshëm, të cilin ata e shohin si shkelje të të drejtave të tyre mbi tokën.

Tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar teksa Izraeli vazhdon sulmin e tij në Rripin e Gazës, ku ka vrarë rreth 40.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Përpos kësaj, që atëherë të paktën 691 njerëz janë vrarë dhe mbi 5.700 janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë./aa