Policia ndodhet në përgatitjet dhe koordinimin e detajeve të fundit nga forcat e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe Policia Bashkiake e kryeqytetit, për të kaluar nga nesër në mëngjes në terren, në mirëmenaxhimin e lëvizjes në zonat me më shumë trafik.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha duke iu uruar nxënësve, mësuesve prindërve fillim të mbarë e suksese në këtë vit shkollor, i garantoi ata se Policia e Shtetit dhe strukturat e saj kanë marrë çdo masë për sigurinë e tyre.
“Për të garantuar sigurinë rrugore dhe një qarkullim sa më të lehtë, ftojmë qytetarët të respektojnë disa këshilla të vogla”, u shpreh Hoxha duke renditur disa prej tyre.
Kështu, Policia apelon prindërit që banojnë afër shkollave, të shmangin përdorimin e mjeteve për të shoqëruar fëmijët, duke ndihmuar në reduktimin e trafikut.
Po ashtu, furgonat e mjetet transportuese të shkollave, ta kryejnë shërbimin në mënyrë të shpejtë, duke mos krijuar pengesa e bllokime të trafikut.
Qytetarëve iu kërkohet të shmangin përdorimin e mjeteve personale dhe të përdorin transportin publik, nëse nuk e kanë domosdoshmëri.
“Policia e Rendit, “Shqiponjat”, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake në çdo bashki do të jenë të pranishme për të mbështetur dhe garantuar sigurinë nga dita e parë e vitit të ri shkollor”, njoftoi Hoxha./ata