Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se ndryshimet në ligjin “Për shërbimin veterinar” synojnë forcimin e monitorimit dhe inspektimeve në këtë sektor për të garantuar siguri ushqimore sipas standardeve të BE-së.
E pranishme në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, Denaj tha se, “ky është një sekor shumë i rëndësishëm brenda kuadrit të sigurisë ushqimore”.
“Ne vijmë me një situatë epizotike shumë të pastër, ndërsa në rajon e vende të tjera ka pasur raste epizotike. Ne kemi ruajtur një situatë epizotike të pastër edhe kur fqinji ynë Greqia u prek nga murtaja. Ndërsa ndryshimet ligjore që parashtrojmë sot e përafrojnë kuadrin ligjor me BE dhe vijnë në linjë me përpjekjet e qeverisë për integrimin në BE”, tha Denaj.
Sipas saj, ndryshimet përmbushin një rregullor të plotë sipas BE-së, për prodhimin, kontrollin dhe cilësinë e produkteve veterinare për të garatuar sigurinë ushqimore në vend.
Ajo tha se, ligji i mundëson prodhuesve të rrisin prodhimin ndërsa do të lehtësohen dhe barrierat administrative për regjistrimin e barnave veterinare të importit.
Sipas saj, produktet veterinare që tregtohen në 200 farmaci në të gjithë vendin, ndikojnë mbi kontrollin e sëmundjeve dhe korniza e qartë rregullative që paraqitet garanton siguri maksimale.
Denaj ftoi qytetarët të denoncojnë rastet e shkeljeve në këtë drejtim, teksa theksoi se është përgjegjësi e të gjithëve të denoncojnë për garantimin e sigurisë ushqimore.
Ministrja tha se, ndryshimet ligjore garantojnë gjurmueshmërinë në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe këto risi ligjore reflektojnë 15 propozime të grupeve të interesit dhe aktorëve të fushës që iu përgjigjen nevojave aktuale që paraqet sektori./ata