Shqipëria do të ketë një central të ruajtjes së energjisë elektrike. Projekti me vlerë 120 milionë që do të zhvillohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është parashikuar në dokumentin e politikave parësore 2025-2027.
Pavarësisht llojit të burimit, nëse vjen nga uji, dielli apo era... energjia elektrike që do të rezultojë si tepri në periudhë bollëku do të ruhet “për ditë të vështira.” Kështu, veçanërisht gjatë periudhave me reshje, energjia do të ruhet në këtë central për t’u përdorur kur vendi të ketë nevoja.
Në drejtim të energjisë, bazuar në dokumentin e politikave parësore, në dy vitet e ardhme pritet të punohet edhe për ndërtimin e linjës së re të intekonjeksionint nënujor Vlorë-Brindisi që lidh Shqipërinë me Italinë. Për projektin është parashikuar një kosto prej 310 milionë eurosh.
Më shumë se 800 milionë euro janë parashikuar për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Në dy vitet në vijim vëmendje pritet t’i kushtohet edhe sektorit të gazit. Në Dumre është parashikuar ndërtimi i magazinave nëntokësore me vlerë 89.5 milionë euro.
Një pompë depozituese m vlerë 202 milionë e 670 mijë euro është parashikuar të ndërtohet edhe në Koman-Fierzë. Për realizimin e projekteve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të marrë më tepër para nga buxheti i shtetit, nisur nga viti i ardhshëm./Tema