11 muaj pasi e mori nën hetim, Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet për Sali Berishën. Ish- kryeministri i vendit është thirrur të mërkurën në SPAK, ku pritet të njihet me vendimin e prokurorëve të posaçëm nëse hetimet që ata kanë kryer për të provojnë akuzën e ngritur prej tyre apo jo. Deri në këtë moment Berisha ka qenë nën hetim për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.

Tre janë skenaret e mundshme për fatin e ish- kryeministrit. Proceduralisht, SPAK mund ta marrë Sali Berishën të pandehur për akuzën e korrpsionit ose t’i ngrejë atij një akuzë tjetër pas gjetjeve nga hetimet e deritanishme të organit të akuzës. Ndërsa alternativa e tretë, më fatlume për ish- kryeministrin, është pushimi i hetimeve, ç’ka do ta nxirrte menjëherë liderin demokrat nga izolimi.

Po ashtu, edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi i hetuar krahas korrupsionit edhe për pastrim të produkteve të veprës penale pritet të njihet me akuzat e dy prokurorëve, Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja.

Ndërkohë mesditën e së mërkurës, sekretari i përgjithshëm i Partise Demokratike, Flamur Noka i ka kërkuar kryesisë dhe demokratëve të protestojnë para dyerve të prokurorisë speciale.
Sali Berishës në tetor të vitit të shkuar, iu caktua masa e sigurisë Detyrim për tu paraqitur pranë policisë gjyqësore, urdhër që ai nuk e zbatoi. Kjo solli më pas humbjen e mandatiti të deputetit dhe vendosjen përfundimisht në izolim shtëpiak në 30 dhjetor. SPAK pretendon se Berisha ka kryer korrupsion përmes nxjerrjes së akteve nënligjore që do t’i shërbenin dhëndrit të tij për të ndëruar 17 kulla mbi trojet e dikurshme të kompleksin sportiv partizani.

Prej nëntë muajsh, militanët e PD grumbullohen poshtë ballkonit të kryetarit të arrestuar të tyre, për të kundërshtuar masën e sigurisë. Beteja ligjore e ish- kryeministrit ka qenë e gjatë, ndërsa të shumta kanë qenë edhe kërkesat për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën ai prendon se ka konflikt interesi në gjykimin e Dosjes Partizani./vizionplus.tv