Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë fjalës së tij sot në Konferencën e 51-të Rajonale të INTERPOL, që mbahet në Tiranë nga data 11-13 qershor, tha se krimi ka gjuhë të përbashkët paligjshmërinë dhe për ta luftuar duhet një angazhim i shpejtë dhe i përbashkët.

Sipas Ballës, Policia e Shtetit është e angazhuar në luftën ndaj krimit të organizuar, drogave dhe çdo forme paligjshmërie. Ai evidentoi dhe si mjaft të rëndësishëm dhe pastrimin e policisë nga elementët e korruptuar.

“Shqipëria është fuqimisht e angazhuar në misionin e INTERPOL. Ne e kemi bërë pjesën tonë, duke kontribuar në policimin në komunitet. Numri në rritje i ekipeve të përbashkëta operacionale, 16 në 2022, 19 në 2023 kanë sjellë rezultate. Refugjatët e arrestuar ishin 80 në 2022 dhe 92 në 2023”, tha Balla.

Sipas tij, sfidat që ka siguria publike janë të shumta. “Përballja me krimin e organizuar, trafikimin e drogave, terrorizmi dhe krimet kibernetike, janë kërcënime globale pa kufi dhe kërkojnë një reagim dhe përgjigje të shpejtë dhe të përbashkët. Drogat sintetike janë vrasësit numër 1 të qytetarëve të SHBA. Llojet e drogave sintetike mund të variojnë, në disa vende është metamfetamina, në disa të tjera dramadoli, kaptagoni, fentanili. Ne jemi përgjegjës për shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë. Ne kemi vepruar menjëherë kundër përdorimit të këtyre dograve, duke parandaluar kalimin në overdozë apo humbjen e jetës nga përdorimi i tyre”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm tha se është investuar shumë në luftën ndaj narkotikëve.

“Një aktivitet kriminal që po bëhet më shumë kompleks, i sofistikuar, divers e tërheqës për grupmosha të ndryshme. Gjatë muajit të shkuar një operacion i madh që kishte në fokus narkotikët u zhvillua nga Policia e Shtetit. Jam mirënjohës për rezultatet”.

“Roli Interpolit në këtë drejtim është kryesor për të asistuar vendet anëtare për të ndaluar këtë fenomen. Shqipëria mbetet shumë e përkushtuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit gjithashtu. Kemi ndërmarrë hapa për të bërë një reformë në sistemin e drejtësisë, për të forcuar sundimin e ligjit. Lufta që ne kemi është kryesore për të gjetur personat që janë fajtorë dhe për t’i vendosur para drejtësisë”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm po ashtu vlerësoi punën e zhvilluar nga Interpol për ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim për t’i vendosur përpara drejtësisë. “Falenderoj Interpol dhe partnerët në këtë konferencë për të gjithë personat e ekstraduar në Shqipëri kohët e fundit. Shqipëria do të mbetet gati për bashkëpunim. Rezultatet e arritura deri më tani janë vetëm fillimi”, tha Balla.

Ai në fjalën e tij theksoi se Policia e Shtetit sot është një nga institucionet më të besuara në vend.

“Është kryesore që besimi i policisë nga publiku të jetë i madh. Të marrin besimin e publikut, policia duhet të ketë standard të lartë, integritet dhe sjellje etike. Performanca duhet të jetë po ashtu e lartë. Duhet të bëhet më shumë. Duhet të bëhet më shumë për të luftuar korrupsionin brenda organizatës së Policisë. Unë kam vendosur të çoj përpara procesin e vetëpastrimit të PSH. Është e rëndësishme edhe për të rritur bashkëpunimin në këtë drejtim. Krimi organizuar flet të njëjtën gjuhë, gjuhën e fitimeve ilegale, krimet kibernetike, gjuhën e trafikimit të qenieve njerëzore, gjuhën e trafikimit të drogës, një gjuhë që është barrë e jona dhe qytetarëve tanë të ndershëm e të pafajshëm. ‘Bashkimi bën fuqinë’ thotë një proverb i vjetër shqiptar dhe ju falënderoj që jeni pjesë e kësaj organizate, që na bën më të fortë, për ta bërë botën një vend më të sigurtë”, tha Balla./ata