Ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Taulant Balla paraqiti sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, projektligjin për qeverisjen elektronike.

Në fjalën e tij, ministri Balla tha se ky projektligj synon adresimin e sfidave aktuale dhe të sigurojë që Shqipëria të jetë në një linjë me zhvillimet e fundit teknologjike, duke përmirësuar më tej ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset.

Sipas tij, sot vendi ka nivelin më të lartë të dixhitalizimit të shërbimeve publike që arrijnë  sot në 1242 shërbime të disponueshme online përmes platformës e-Albania, ose 95% të të gjitha shërbimeve publike në Shqipëri, nga 14 shërbime që ishin në vitin 2013.

Balla tha se, refoma digjitale e vendosi vendin në një standard të ri të shërbimeve elektronike.

“Gjatë periudhës janar- gusht 2024, kemi 9.7 milionë shërbime publike nga të cilat 6.8 milionë janë dokumenta me vulë elektronike. 3.2 milionë qytetarë dhe biznese janë të regjistruar në portalin e-Albania dhe u shërbehet çdo ditë me këto shërbime. Çdo muaj 1.1 deri 1.3  milionë shërbime publike elektronike merren nga qytetarët dhe bizneset përmes e-Albanias që është e ndërlidhur me 63 regjistrat elektronikë ndërinstitucionale dhe shkëmbejnë informacion në kohë reale dhe të sigurtë”, tha Balla.

Ministri infomroi se 68% e shërbimit elektronik përmbushet në kohë reale nga regjistrat elektronikë. Gjithashtu vijoi ai, për vitin 2023 numërohen 271 milion transaksione online dhe në 8-mujorin e vitit 2024, janë 268 milionë transaksione.

Balla garantoi komunitetin e diasporës që brenda një kohe të shkurtër do të kalohet në ofrimin e të gjitha shërbimeve konsullre online, duke përfshirë këtu siç tha ai edhe për shërbimin e kartave të identitetit dhe pasaportave.

Gjithashtu theksoi ai digjitalizimi i regjistrave shkollorë elektronikë do t’u mundësojë prindërve të marrin informacion online për fëmijët e tyre, pa qenë nevoja të shkojnë tek mësuesit në shkollë dhe dëftesa dhe diploma digjitale do të shërbehet online për të gjithë./ata