Rezultatet e hulumtimit të kryer në Gjermani treguan se në policinë gjermane ka paragjykime sistematike ndaj të huajve.
Sipas hulumtimit të porositur nga Shërbimi Mediatik për Integrimin Gjerman, i cili publikon kërkime shkencore dhe të dhëna në fushat e migrimit, integrimit, diversitetit kulturor dhe azilit në vend, paragjykimet etnike të policisë gjermane luajnë një rol të rëndësishëm në kryerjen e detyrave të tyre profesionale.
Në një studim të kryer në provincën e Saksonisë së Poshtme, thuhej se policia konsideronte veçanërisht personat me origjinë afrikane dhe shqiptarët si shpërndarës të mundshëm droge.
Thuhet se edhe kur këta persona nuk sillen në mënyrë të dyshimtë, policia mund të verifikojë identitetin e tyre dhe të bëjë kontroll trupor.
Rezultatet e hulumtimit tregojnë se trajtimi i një personi në bazë të origjinës së tij nuk është praktikë individuale në polici, por praktikë e vendosur në detyrat e përgjithshme të punës.
Më tej thuhet se policia i përshkruan evropianët jugorë si "impulsivë" dhe rusët si "të dhunshëm" në një vlerësim të rrezikut që ata bënë gjatë punës në terren.
Hulumtimi vuri në dukje se policia gjermane klasifikoi veçanërisht të rinjtë, të rinjtë me pikëpamje politike të majta dhe të rinjtë arabë dhe turq si "armiqësorë dhe që nuk tregojnë respekt për policinë".
U konstatua se diskriminimi që rrjedh nga kjo arsye reflektohej në formën e indiferencës, vrazhdësisë, trajtimit të ashpër dhe intolerancës ndaj njerëzve të këtyre grupeve shoqërore.
Më tej në raport thuhet se në situata të ngjashme policia është sjellë me shumë më tepër vëmendje dhe respekt ndaj personave jashtë këtij profili të qytetarëve./TRT