Kryeparlamentari Glauk Konjufca priti sot në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, ambasadorin Aivo Orav, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, agjendën evropiane të Kosovës dhe përparimin në procesin e reformave për integrimin evropian.

Konjufca njoftoi Orav mbi punën e deritashme të legjislaturës së tetë përfshirë miratimin e ligjeve të rëndësishme që lidhen me agjendën e reformave evropiane, si dhe ritheksoi përkushtimin e legjislativit në vazhdimin e reformave të nevojshme.

Ai tha se Kosova ka përmbushur kriteret dhe është në pritje të dhënies së statusit të vendit kandidat të BE-së. Ndërsa, ambasadori Orav vlerësoi progresin e arritur deri tani nga Kosova.

Konjufca dhe Orav shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit reciprok, si dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane./ata