Në kërkim të tregjeve të eksportit për pjesët e makinave, Italia “hodhi sytë” nga Meksika dhe Vietnami, duke llogaritur se për shkak të krizës në Volkswagen, kërkesa në Gjermani mund të dobësohet, tha ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën me të cilën po përballet Gjermania në industrinë e automobilave”, u tha ministri Tajani gazetarëve në prat të forumit të biznesit TEHA.

Problemet në Gjermani mund të ndikojnë në eksportet italiane të pjesëve të automjeteve, shpjegoi Tajani.

“Kjo është arsyeja pse ne po kontrollojmë se në cilat tregje mund të forcojmë praninë e Italisë”, shtoi ai, duke përmendur Meksikën dhe Vietnamin.

Kriza në VW

Në fillim të javës, menaxhmenti i VW njoftoi se nuk përjashtonte më mundësinë e mbylljes së fabrikave dhe pushimit nga puna të punëtorëve në Gjermani si pjesë e uljes së kostove në markën kryesore Volkswagen.

Ata gjithashtu shtuan se planifikojnë të anulojnë marrëveshjen e kahershme me përfaqësuesit e punëtorëve në Gjermani, e cila përjashton pushimet nga puna deri në fund të vitit 2029 dhe që është në fuqi që nga viti 1994.

Menaxherët besojnë se marka Volkswagen duhet të ristrukturohet rrënjësisht dhe se përpjekjet aktuale për të reduktuar numrin e punëtorëve përmes programeve të pensionit të parakohshëm dhe pagesave të largimit nuk do të jenë të mjaftueshme, tha menaxhmenti, pa specifikuar se sa vende pune në Gjermani mund të shkurtohen, as cilat fabrikat mund të mbyllen.

Gjermania është tregu më i madh për industrinë italiane të pjesëve të automjeteve, me eksporte me vlerë 5.2 miliardë euro vitin e kaluar, sipas shoqatës së prodhuesve ANFIA. /tesheshi.com/