Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia do të paraqesë kërkesë me shkrim të hënën për mbajtjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euro është valuta e vetme për pagesa.

Vuçiç tha se e dinë se ky nuk është fundi dhe se shpreson se seancë e posaçme do të mbahet.

"Sot pjesëtarët e policisë së (Albin) Kurtit bastisën autoritetet e përkohshme në Pejë, Gorazhdec, Istog dhe Osojan. Në të njëjtën kohë kanë hyrë në qendrën shëndetësore në Osojan, e kanë mbyllur, po ngacmojnë njerëzit dhe po kërkojnë gjërat", tha Vuçiq në fillim të fjalimit të tij për opinionin.

Ai shtoi se të gjitha enklavat serbe në Kosovë janë sulmuar pas vendimit për heqjen e dinarit dhe se tani me "goditjen më të fortë deri më tani po kërcënohet persekutimi dhe dëbimi i serbëve nga vatrat e tyre shekullore".

"Sa i përket heqjes së dinarit, që nga marrëveshja e parë e Brukselit deri te parimet e nënshkruara në vitin 2015, e deri te të gjitha marrëveshjet pasuese, në secilin prej atyre akteve, norma më domethënëse është e drejta e Republikës së Serbisë për financimin e aktiviteteve të caktuara, shëndetësisë, arsimit, pensionet për popullatën serbe në Kosovë që është dashur të bëhet përmes asociacionit të komunave me shumicë serbe", tha Vuçiq.

Ai shtoi se Kurti e ka marrë vendimin për heqjen e dinarit me iniciativën e tij. "Ky synim është spastrimi etnik i popullatës serbe nga territori i gjithë Kosovës ose siç thotë Konventa e Gjenocidit: nënshtrimi i qëllimshëm i serbëve në kushte të padurueshme të jetesës", tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se ka dialog sepse Kosova nuk është shtet i njohur ligjërisht ndërkombëtarisht siç pretendojnë ata. Ai ka komentuar reagimin e Perëndimit lidhur me shpalljen e heqjes së dinarit, duke thënë se SHBA-ja kishte një deklaratë më të fortë se Bashkimi Evropian për këtë çështje.

Ai tha se sot kanë filluar pagesat e pagave, pensioneve dhe përfitimeve sociale dhe se deri në orën 12 janë paguar rreth 5 milionë euro dhe se pagesat do të vazhdojnë të hënën. Sipas Vuçiqit, "euro nuk është mjet i ligjshëm i pagesës në Kosovë dhe as nuk ka një akt të vetëm që do t'ua mundësonte një gjë të tillë".

Duke prezantuar të dhënat se sa ndan Serbia për beneficione në Kosovë, Vuçiq u tha qytetarëve se nuk duhet të shqetësohen dhe se shteti do të bëjë gjithçka që ata t'i marrin të ardhurat dhe se do të gjejnë metoda dhe mënyra.

"Mënyra e tyre e vetme për të fituar është nëse nuk mbeten serbë në Kosovë dhe ne do të bëjmë çmos që serbët në Kosovë të mbijetojnë", tha Vuçiq.

Ai tha se do të vazhdojnë të punojnë dhe të bisedojnë me partnerët ndërkombëtarë dhe se përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të BE-së, si dhe presidentët dhe kryeministrat e të gjithë anëtarëve të KS-OKB-së do të marrin letrën e tij të hënën.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, dinari serb është në përdorim në Kosovë, në zonat ku jeton popullata shumicë serbe, të cilët marrin paga, pensione, asistencë sociale apo lloje të tjera të kompensimeve nga buxheti i Republikës së Serbisë.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës për Integrime Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se euro është dhe mbetet valuta e vetme në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se BE-ja është e shqetësuar për pasojat që mund të ketë vendimi i BQK-së në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera për shkak të mungesës së konsultimeve të mëparshme, veçanërisht për shkak të ndikimit të tij në shkolla dhe spitale, duke patur parasysh mungesën e dukshme të alternativës në këtë kohë./aa