Qeveria shqiptare ka shpallur para pak ditësh “monument natyre”, një specie të veçantë që bën pjesë në speciet e rrezikuara, që quhet “Tulipani shqiptar” (Tulipa albanica).

 

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka sjellë sot historikun e kësaj bime, e cila rritet vetëm në Shqipëri.

 

“Tulipani Shqiptar, monument natyre, i njohur shkencërisht edhe si “Tulipa Albanica” është një bimë 100% endemike shqiptare. Ai rritet në kushte natyrale vetëm në Shqipëri dhe gjendet në një hapësirë të kufizuar në qarkun e Kukësit. Në habitatin e tij, tulipani është në gjendje të egër, në 2 variante i kuq dhe i verdhë si dhe kombinim i tyre”, shkruan AKZM.

 

Zbuluesit e kësaj specie janë prof as. dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë.

 

Në botë deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114./ATSH