Bashkimi Evropian do të ulë tarifat e propozuara për Tesla-n dhe automjetet e tjera elektrike të prodhuara në Kinë, njoftojnë burimet brenda BE-së.

Norma tarifore e propozuar për makinat Tesla të prodhuara në Kinë do të bjerë në 7.8%, nga 9%. Për BYD, nuk kishte asnjë ndryshim në tarifën prej 17%. Për Geely, norma e re do të ishte 18.8% nga 19.3% e mëparshme. Një normë maksimale prej 35.3% do të zbatohej për SAIC dhe kompani të tjera që nuk bashkëpunojnë me hetimin e BE-së, sipas burimeve.

Këto tarifa janë mbi taksën standarde të BE-së prej 10% të importit për makinat.

Komisioni Evropian, i cili po kryen hetimin kundër subvencioneve për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë, nuk pranoi të komentojë mbi ngjarjen.

Muajin e kaluar, BE-ja paraqiti propozimin fillestar, duke vendosur një normë të veçantë prej 9% për makinat elektrike Tesla, një reduktim nga taksa më e lartë që do të zbatohet për të gjitha kompanitë bashkëpunuese, e vendosur në 20.7%.

Kjo shifër vlen për disa prodhues kinezë si Chery, Great Wall Motor Co dhe NIO dhe një numër sipërmarrjesh të përbashkëta midis kompanive kineze dhe prodhuesve të automjeteve të BE-së.

Kinës dhe kompanive të prekura iu dhanë 10 ditë për të paraqitur komentet e tyre dhe Komisioni i ka marrë parasysh këto për të vendosur tarifat e rishikuara.

Taksat përfundimtare të propozuara do t’i nënshtrohen votimit nga 27 shtetet e BE-së. Ato do të zbatohen nëse shumica e 15 anëtarëve të bllokut që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së nuk votojnë kundër.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian nisi një hetim mbi praktikat e tregut të Pekinit. Ai zbuloi se subvencionet kineze po lejonin firmat e makinave elektrike t’i mbanin çmimet e tyre artificialisht të ulëta, duke dëmtuar konkurrentët evropianë, një pretendim që Kina e ka mohuar./Scan