Ka arritur në 3.3 miliardë euro vlera e transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS në fund të tetëmujorit. Megjithëse numri i transaksioneve ka qenë më i ulët përgjatë muajit të kaluar, vlera e tyre është rritur me gati 1% në krahasim me korrikun, fakt që tregon se pagesa në shuma gjithnjë e më të mëdha po kryhen nëpërmjet këtij sistemi.

Konkretisht, shuma e transaksioneve arriti në 479 milionë euro, vlera më e lartë e regjistruar që prej fillimit të vitit. Ndërsa numri i tyre i është rikthyer vlerave të prillit dhe qershorit, duke rënë kështu në 26,668 ose 11% më pak transaksione se në muajin korrik. Nëse bëjmë një krahasim me shifrat e muajit gusht të vitit 2023, vërehet një rritje me pothuajse 21% e numrit të veprimeve dhe 94 milionë euro më shumë në vlerë.

Bazuar në të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, numri total i transaksioneve të realizuara që prej janarit është 206 mijë. Kjo shifër tejkalon atë të vitit të shkuar me 52 mijë transaksione dhe 800 milionë euro më shumë, duke rritur shanset që ky vit të mbyllet me një bilanc më të mirë se viti i mëparshëm.

Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndërbankare AIPS përdoret nga bankat për të transferuar në kohë reale shuma të mëdha parash me njëra-tjetrën. AIPS mundëson kryerjen e pagesave të mëdha, të shpejta dhe të sigurta ndërmjet bankave, duke ndihmuar në mirëmbajtjen e operacioneve financiare në vend.

Megjithëse AIPS është një sistem për pagesat ndërbankare, ai përshpejton në mënyrë indirekte transaksionet për qytetarët, veçanërisht kur bëhet fjalë për shuma të mëdha parash. Kur një qytetar realizon një pagesë të madhe, si blerja e pronës, apo e një makine, transaksioni përfshin lëvizjen e parave midis bankës së blerësit dhe bankës së shitësit. Në këtë rast, banka e blerësit përdor sistemin AIPS për të transferuar shpejt dhe sigurt fondet në bankën e shitësit./Scan