Ministri i Punëve të Brendshme i Türkiyes, Süleyman Soylu, ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga përmbytjet që goditën provincat turke Adıyaman dhe Şanlıurfa është rritur në 14.
Soylu u tha gazetarëve se 12 persona humbën jetën në Şanlıurfa dhe dy në Adıyaman. Ai theksoi se përpjekjet e kërkim-shpëtimit për pesë persona të zhdukur janë duke u zhvilluar në tre lokacione.
“Shiu i madh filloi në zonën e tërmetit që nga ora 9 e mëngjesit me orën lokale të martën. Që nga ora 4 e mëngjesit me orën lokale të mërkurën, ky shi u intensifikua në Şanlıurfa dhe Adıyaman”, tha Soylu.
Ai shtoi se reshjet e mëdha çuan në vërshimin e një lumi, veçanërisht në rrethin Tut të provincës Adıyaman dhe në lagjen Doğanşehir, duke shkaktuar përmbytje.
Zyra e guvernatorit të provincës Şanlıurfa njoftoi se mësimi në të gjitha nivelet është pezulluar për një ditë.
Në një zonë prej rreth 25 kilometrash të gjatë, rreth 300 shpëtimtar, përfshirë zhytës, po vazhdojnë përpjekjet e tyre të kërkim-shpëtimit brenda dhe rreth lumit.
Ndërkohë, numri i personave që humbën jetën në Şanlıurfa nga përmbytjet është rritur në 12 pasi pesë viktima të tjera u gjetën në bodrumin e një pallati.
Dy trupa të tjerë u nxorën gjithashtu nga një automjet i bllokuar në një nënkalim të përmbytur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit, policia, xhandarmëria dhe stafi i bashkisë vazhdojnë të evakuojnë zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Kjo fatkeqësi natyrore vjen pasi provincat Adıyaman dhe Şanlıurfa muajin e kaluar u goditën nga dy tërmete të fuqishme që shkatërruan Türkiyen jugore dhe shkaktuan mbi 48 mijë të vdekur./AA