Prej sot, 12 shtator, në kinematë e Tiranës do të shfaqet filmi “Pikë uji”. Ky është filmi i ri i regjisorit Robert Budina, me producente Sabina Kodrën, prodhuar nga Erafilm Productions.

Filmi “Pikë uji” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, MIBAC, QKK Kosovë, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, Creative Europe Media, SEE.

Në qendër të historisë që rrëfen filmi, shkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha e Ajola Daja, qëndron Aida. Ajo ka arritur majat e pushtetit në qytetin e saj. Para, influencë, karrierë, Aida i ka të gjitha. Por çfarë ndodh kur një krim i papritur kërcënon të shkatërrojë gjithçka? Kur djali i saj Marku përfshihet në një akuzë të rëndë, bota e Aidës fillon të lëkundet. Sa larg do të shkojë Aida për të mbrojtur të birin? “Pikë uji” është  një thriller emocionues që zbulon çmimin e vërtetë të pushtetit dhe dashurisë prindërore.

Në të interpretojnë aktorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe me gjerë./ata