Këngëtarja Elhaida Dani do të jetë drejtoresha artistike e Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar.

Këngëtarja me origjinë nga Shkodra, e cila ka korrur sukses me zërin dhe performancën e saj edhe në Itali, jo vetëm në Shqipëri, në një postim në rrjetet sociale thekson se ndihet krenare dhe e gëzuar për rolin që i është besuar.

“Me gëzim dhe krenari, më në fund njoftoj se kam marrë rolin e ri si Drejtoresha Artistike e Festivalit të Këngës në RTSH.

Ky festival ka një rëndësi të madhe për mua si dhe për gjithë shqiptarët, sepse unë jam rritur në atë skenë dhe e di sa e veçantë është për ne të gjithë”, shprehet Dani.

“Të jesh pjesë e këtij eventi madhështor është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe që e marr me shumë seriozitet. Patjeter nuk do jem vetëm por do kem ekipim tim të profesionistëve më të mirë në Shqipëri, të cilët do i bëjmë të ditur në ditët në vazhdim.

Do të jemi shumë rigorozë në të gjitha fazat e punës për të siguruar që ky festival të jetë më i miri ndonjëherë.  Jam e lumtur që po filloj këtë udhëtim duke marrë mësime nga më të mirët në spektaklin e muzikës, si Sanremo, direkt në selinë e Rai”, shton ajo.

“Këto mësime të vlefshme do t’i sjell me vete në vendin tonë për të bërë më të mirën për festivalin tonë të dashur. Na vaftë mbarë”, uron Dani./ata