Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK), Altin Dumani raportoi sot në Këshilli e Lartë të Prokurorisë, (KLP).

 

Në fjalën e tij, Dumani tha se, “një tregues i mirë janë rekomandimet e raportit të Misionit të Vlerësimit të Ekspertëve të Komisionit Evropian kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për vitin 2022, pas takimit të zhvilluar nga këta të fundit me prokurorët dhe hetuesit pranë SPAK, ku citohet se, “SPAK përfaqëson një zhvillim të mirë institucional për të zhvilluar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Komisionit Evropian, ilustron se, SPAK është në gjendje të jap rezultate të mira dhe pavarësia e prokurorëve pranë SPAK është e pacenuar”.

 

“Sa i takon një sistemi tregues për punën e prokurorëve pranë SPAK është ndërtuar një regjistër të dhënash në lidhje me procedimet penale, ku regjistrohen të dhëna të procedimeve penale dhe nga regjistrimi i tyre fillestar deri në dërgimin e tyre në gjykatën çfarë tregon punën e prokurorëve në ndjekjen e çështjeve. Është duke u diskutuar projekt-rregullorja për sistemin e vlerësimit të rezultateve të punës dhe integriteti i drejtuesve dhe oficerëve të Shërbimit të Policisë Gjyqësore në Byronë Kombëtare të Hetimit”, tha ai.

 

“Në lidhje me kërkesat për gjykim, në total Prokuroria e Posaçme ka pasur një rritje të procedimeve penale dërguar për gjykim, nga 43 procedime penale me 239 të pandehur në vitin 2021, në 57 procedime penale me 344 të pandehur në vitin 2022, duke pasur një rritje për një numër çështjesh me rreth 19% dhe për numër të të pandehurve ky tregues rritet me rreth 44%”, tha ai.

 

“Është e rëndësishme të cilësohet se për vitin 2022 janë dërguar për gjykim 10 çështje penale me 100 të pandehur për veprat penale në kuadrin e krimit të organizuar ku ka një rritje me 16% të numrit të të pandehurve në raport me vitin paraardhës”, theksoi Dumani.

 

“Ndërkohë, vlen të nënvizohet se, janë dërguar për gjykim 43 çështje penale me 208 të pandehur të akuzuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin, ku ka një rritje prej 30% të numrit të çështjeve dhe 117% të të pandehurve në krahasim me vitin paraardhës”, tha kreu i SPAK ndër të tjera teksa prezantoi raportin për punën e SPAK gjatë vitit 2022.

 

“Në lidhje me përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit, përveç përgjimeve elektronike po aplikohen në masë të gjitha mjete e posaçme të hetimit. Është përdor me efikasitet metoda e hetimeve proaktive në 122 procedime penale, ku janë interceptuar 2177 pajisje fundore dhe ka një rritje në krahasim me vitin e kaluar. Ne vitin 2022, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi dhe kryesisht për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale, ku janë interceptuar mbi 1023 pajisje fundore. Ndërkohë për çështje penale në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale janë përdorur metoda të posaçme hetimore dhe në 53 çështje janë përdorur 1124 pajisje fundore. Është rritur gama e databazave shtetërore ku SPAK ka akses të drejtpërdrejtë”, tha ai.

 

Dumani sqaron se, sa i takon rekomandimit për çështjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë nënvizojmë se, më kërkese të prokurorisë, GJKKO ka dhënë 4 vendime dënimi për ish-zyrtarë të nivelit të lartë.

 

“Ndërkohë në periudhën 2020-2022 rezulton se, nga SPAK janë hetuar 24 procedime penale me 25 persona në hetim ndaj ish-zyrtarëve të nivelit të lartë. Nga këto janë dërguar në gjykatë 8 procedime penale me 8 të pandehur ish-gjyqtarë, 3 procedime penale me 3 të pandehur ish-prokurorë, 1 procedim penal me 2 të pandehur ish-deputetë, 1 procedim penal me 1 të pandehur ish zv/ministër, 1 procedim penal me ish-anëtarë të KPK, 4 procedime penale me 4 të pandehur ish-kryetarë bashkie. Këto arritje janë vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian”, tha ai.

 

Në lidhje me sekuestrimin e pasurive të paligjshme, Dumani tha se, është arritur të sekuestrohen një portofol i diversifikuar asetesh si pasuri të paluajtshme, vlera monetare, kuota tregtare si dhe portofole kriptovalutash.

 

“Janë dhënë nga gjykata 5 vendime për sekuestrim pasurie, si 12 pasuri të luajtshme, 34 pasuri të paluajtshme, 13 subjekte tregtare, nga të cilët 11 subjekte të konfiskuara plotësisht. Po ashtu, janë paraqitur në gjykatë 10 kërkesa për konfiskim të pasurisë dhe janë dhënë 2 vendime konfiskimi për 4 pasuri të luajtshme, 13 pasuri të paluajtshme, 11 subjekte tregtare”, tha Dumani.